Aktualitet
Nëna e 3 fëmijëve prej një jave e zhdukur/ Vijojnë kërkimet, dyshohet për krim në familje

Policia e Tropojës dhe ajo e Kosovës vijojnë kërkimet për gjetjen e 48-vjeçares Nadire Shpata nga fshati Bujan, e cila rezulton prej rreth një jave e zhdukur, pasi dyshohet se është larguar më 22 Korrik nga banesa dhe nuk është kthyer më. Dyshohet se pas kësaj zhdukje qëndron një ngjarje e rëndë kriminale.
Dy ditë më parë, Policia njoftoi arrestimin e bashkëshortit të saj, Ismet Shpata, 58 vjeç, pasi në banesën e tij u gjetën dy armë zjarri automatike, të cilat u sekuestruan. Armët do dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme, për të përcaktuar nëse janë përdorur apo jo në ngjarje kriminale.
Dyshohet se ai ka lidhje dhe me zhdukjen e bashkëshortes. Një nga pistat ku po heton Policia është se 48-vjeçarja mund të jetë larguar nga banesa, pas dhunës sistematike të ushtruar nga bashkëshorti i saj.
Po ashtu, pistat e tjera janë dhe se ajo mund t’i ketë dhënë fund jetës në mënyrë tragjike, duke u vetëvrarë, apo të jetë vrarë nga persona të tjerë dhe të jetë zhdukur më pas trupi.
E zhdukura është nënë e tre fëmijëve të rritur, dy djemve, njëri prej të cilëve jeton në Angli, tjetri në Bujan, si dhe e një vajze që banon në Tiranë. Për gjetjen e 48-vjeçares, Policia e Tropojes është duke bashkëpunuar me kolegët e tyre në Kosovë, pasi ekziston mundësia që ajo të jetë drejtuar drejt Gjakovës.

