Connect with us

Politike

Nëse Arben Ahmetaj kërkon të votojë, a do i dërgohet fleta? Ja si përgjigjet Celibashi

Vota e diasporës do implementohet për herë të parë në zgjedhjet e 11 majit. Por si do të veprohet për shtetasit e shpallur në kërkim?

Komisioneri Shtetëror Zgjedhor, Ilirjan Celibashi i pyet nëse ish-zv.kryeministri në kërkim Arben Ahmetaj mund të votojë si gjithë emigrantët e tjerë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas Celibashit, ligji e ka të qartë se kur një person nuk mund të votojë dhe kjo gjë përforcohet nga një vendim gjykate.

“Po patjetër që mund të votojë. Nëse nuk ka ndalim. Nëse një njeri nuk ka të drejtën e votës, i është hequr me vendim gjykate nuk mund të votojë. Përsa nuk ka një vendim gjykate, ai regjistrohet kërkon një fletë votimi. Ne nuk merremi…si ka mundësi një person në proces penal. Ne nuk merremi me këtë gjë”, tha Celibashi.

Ish-zv kryeministri i vendit, Arben Ahmetaj është aktualisht në kërkim ndërkombëtar, teksa mbi të rëndojnë akuzat “Korrupsion pasiv”, “Fshehje pasurie” dhe “Pastrim parash”. Ish-numrit dy të qeverisë i janë sekuestruar disa pasuri. Disa prej pronave dyshohet se janë vendosur nga raporti që ka pasur Ahmetaj me pronarët e inceneratorëve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto. Vetë Ahmetaj i ka mohuar vazhdimisht akuzat, qoftë për dosjen e inceneratorëve, qoftë për privatizimin e ish-shoqërisë Buka.

Qeveria ka vendosur t’i japë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve 2.5 milionë euro shtesë vetëm për projektin e regjistrimit të zgjedhësve në diasporë. KQZ dërgon nëpërmjet shërbimit postar fletët e votimit dhe çdo material tjetër zgjedhor dhe informativ në adresën e deklaruar të vendbanimit të zgjedhësit sipas listës së zgjedhësve për votimin nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Advertisement