Aktualitet
Nga akuzat për vrasjen e Xhuvanit dhe pjesë e “shoqatës”, te “babi i Zenit të Gërdecit”. Si e kaluan ‘ylberin’ Bardhi dhe Berisha
Gazment Bardhi zhvilloi një takim me Sali Berishën dhe deputetët e tij të martën. Partia Demokratike dhe vetë deputetë që përbëjnë grupin “Bardhi”, në fakt, deri dje luftuan fort kundër berishizmit, pasi zgjodhën aleancën me SHBA përpara hallit dhe interesit familjarë të Sali Berishës. Por tashmë ata e kaluan ylberin dhe po mbrojnë hallin e Berishës kundër aleancës së PD me SHBA dhe Perëndimin. Por për të kuptuar më mirë “ylberin” e kaluar për hir të “bashkimit”, po ju risjellim luftën e egër të Gazment Bardhit me Sali dhe Shkëlzen Berishën. Në një postim në “Twitter” disa kohë më parë, Gazment Bardhi sulmonte ashpër Berishën dhe djalin e tij. “Babi i Zenit, njeriui i vetëm përgjegjës për 26 të vrarë në Gërdec, duhet të gjejë kohë të paktën ti shkojë për ngushëllim baxhanakut të tij. Koha ku çdo punë e emërim kalonte nga zyra e Zenit ka mbaruar me vendim të DASH në 19 Maj 2021. Sa më parë ta kuptosh aq më mirë për ty!”, shkruante Bardhi. Por reagimi i Bardhit për sa i takon Gërdecit, nuk është i vetmi. Pak ditë më herët ai kishte bërë një deklaratë po aq të fortë duke dërguar mesazhin se pikërisht dosja e Gërdecit dhe implikimi i djalit, Shkëlzenit, është ajo që alarmon më së shumti Sali Berishën. “Atyre që sot Sali Berisha u duket shpëtimtar, shumë shpejt do ta kuptojnë se ngjitja e tij në krye të PD-së nuk ka lidhje as me sjelljen e demokratëve në pushtet, as me një betejë të vërtetë opozitare kundër Edi Ramës! Ka lidhje vetëm me hallin e tij për vdekjen e 26 qytetarëve të pafajshëm në Gërdec, për shkak të babëzisë së familjarëve të tij për tu pasuruar në kurriz të jetës dhe shëndetit të shqiptarëve”, deklaronte Bardhi atëherë. Por përveç sulmeve të Sali Berishës atëherë ra në sy edhe reagimi i Shkëlzen Berishës, i cili e quajti Bardhin, “gazra” dhe “të shoqatës”. “Për hir të bashkimit mendoj se të gjitha emërimet në PD, duhet t’i rikthehen si ekskluzivitet shoqatës së gazrave!”, shkruante atëherë Shkëlzen Berisha. Sot pas rreth 1 viti e pak, duket sikur Shkëlzen Berisha ka qenë profetik. Gazmend Bardhi “për hir të bashkimit” ka gëlltitur me kushedi çfarë të gjitha akuzat për Sali Berishën që kujtuam më lartë dhe siç mendonte atëherë Shkëlzen Berisha, ka marrë eksluzivitetin e “bashkimit” të opozitës.