Kosova
Nga Hamburgu në Prishtinë, avioni me pasagjerë bën ulje emergjente në Beograd
Një avion me 155 persona në bord i nisur nga Hamburgu për në Prishtinë ka bërë ulje emergjente në Beograd. Lidhur me këtë ka reaguar edhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Kosovë, Liburn Aliu, i cili tha se avioni përfundoi në aeroportin “Nikola Tesla” në Beograd për shkak të problemeve teknike.
“Sot, fluturimi i planifikuar nga Hamburg – Gjermani për në Prishtine nga operatori ajror ‘Eurowings’ (Flt.Nr. EW5704), i nisur nga Hamburg në ora 14:30, me 155 udhëtar ne bord, për shkaqe teknike është detyruar të aterrojë ne aeroportin ‘Nikola Tesla’ në Beograd”, ka njoftuar Aliu përmes një postimi në Facebook.
Ministri është shprehur se pas incidentit, operatori ajror ndërmori masa të menjëhershme duke organizuar një aeroplan alternativ për transportimin e pasagjerëve. Aliu tha se autoritetet shtetërore të Kosovës dhe aeroporti i Prishtinës ishin në komunikim të vazhdueshëm me kompaninë ajrore për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e udhëtarëve. Ai njoftoi gjithashtu se fluturimi i udhëtarëve për në Prishtinë do të organizohet së shpejti nga Eurowings, sipas procedurave standarde për raste të tilla.