Bota
Nga njohja me akuzat te vendimi i gjykatës, çfarë pritet të ndodhë në seancën e sotme
Ndërsa ish-presidenti amerikan Donald Trump është brenda gjykatës në Manhattan, në pritje të nisjes së procesit ku do t’i bëhen të ditura rreth 30 akuzat penale me të cilat do të përballet, mbështetësit e tij janë mbledhur jashtë gjykatës.
Si mbështetësit e ish-presidentit ashtu edhe kritikët ndaj tij ishin rreshtuar në rrugë përpara se ish-presidenti të mbërrinte në gjykatë.
Ndërkohë në godinën e gjykatës sapo ka mbërritur edhe Alvin Bragg, prokurori i cili ndjek çështjen.
Në një përmbledhje të asaj që po ndodh dhe që pritet të ndodhë, kujtojmë se sot po zhvillohet një seancë gjyqësore ku do t’i bëhen të ditura akuzat.
Më pas Trump do të pyetet se si deklarohet në lidhje me akuzat, veprim pas të cilit gjyqtari vendos nëse ai do të lirohet me kusht apo do të mbahet në paraburgim.
Në të njëjtën kohë, janë duke u zhvillua përgatitje në Mar-a-Lago për kthimin e Trump.
Janë vendosur karriget dhe flamujt për konferencën për shtyp që pritet të japë ish-presidenti kur të kthehet në Florida.