Shkrime
Një ogur i keq po vjen/ Le Monde: Pse Vuçiç u detyrua të nxjerrë në rrugë huliganët

Përdorimi i papritur i dhunës nga grupe provokatorësh përballë lëvizjes nëntëmujore të protestave studentore serbe është një ogur i keq për ambicien e Presidentit Aleksandar Vuçiç për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian
Pas nëntë muajsh protestash dhe demonstratash të pandërprera, qeveria serbe ende nuk ka arritur të ndalojë lëvizjen studentore kundër korrupsionit që ka tronditur vendin ballkanik që nga shembja e një tende të stacionit të trenit të rinovuar rishtazi në Novi Sad, në nëntor 2024. Kjo tragjedi, e cila shkaktoi vdekjen e 16 personave, shihet gjerësisht në Serbi si një pasojë e korrupsionit endemik që ka pushtuar këtë vend me 6.6 milionë banorë.
Në pushtet që nga viti 2014, duke qenë pa ndërprerje, një herë kryeministër dhe më pas president, Aleksandar Vuçiç nuk i ka marrë asnjëherë realisht në konsideratë kërkesat e studentëve për krijimin e një sistemi gjyqësor funksional dhe sundimin e ligjit. Ai gjithashtu ka refuzuar të përmbushë kërkesën e tyre për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Pasi nuk i mori seriozisht për muaj të tërë demonstratat krejtësisht paqësore, ai nisi një strategji shqetësuese frikësimi, të martën, më 12 gusht, duke lëshuar në rrugët e vendit banditë dhe huliganë të njohur si të afërt me bandat e krimit të organizuar të Serbisë, të cilët po provokojnë demonstruesit.
Që nga e marta, dhe deri të shtunën, përleshjet midis mbështetësve të qeverisë dhe protestuesve janë shumëfishuar në disa qytete serbe, të transformuara në fusha beteje gjatë natës, me burra të maskuar, origjina e të cilëve është e vështirë të përcaktohet, që vandalizojnë zyrat e partisë progresiste në pushtet. Policia ka rritur numrin e arrestimeve të dhunshme, videot e të cilave janë postuar në mediat sociale, me qëllimin e qartë për të frikësuar opinionin publik, ndërsa qeveria akuzon kundërshtarët se duan të “shkatërrojnë Serbinë” dhe ta zhytin vendin në “luftë civile “. Kjo strategji të kujton ndërhyrjen e titushkëve në Kiev gjatë revolucionit të Maidanit në vitet 2013-2014, kur partia e atëhershme në pushtet përdori grupe huliganësh dhe oficerë policie me rroba civile për të mbjellë dhunë në tubimet paqësore.
Pasiviteti i kryeqyteteve evropiane
Duke nxitur vetë kaosin që denoncon, zoti Vuçiç shpreson qartë se kjo dhunë do të diskreditojë studentët serbë, veçanërisht në sytë e Bashkimit Evropian (BE) dhe udhëheqësve të tij. Për të mobilizuar rrymën e fortë pro-ruse që përshkon vendin e tij, ai akuzon rregullisht, pa dhënë prova, “shërbimet e huaja” për “organizimin e një revolucioni me ngjyra”. Por presidenti serb, në realitet, gjithmonë është mbështetur, deri më tani, në pasivitetin e Brukselit dhe kryeqyteteve evropiane, që hezitojnë të kritikojë metodat e tij.
Presidenti Emmanuel Macron, i cili i shiti 12 avionë luftarakë Rafale Serbisë në vitin 2024, duke përshëndetur “ndryshimin strategjik” në vend, i cili deri më tani është armatosur kryesisht nga Rusia, është treguar i përmbajtur për të artikuluar çdo kritikë. Gjermania, e cila po mbështetet te z. Vuçiç për të hapur një minierë litiumi në Serbi, thelbësore për industrinë e saj automobilistike, por shumë e diskutueshme në nivel lokal, është po aq diskrete. Në Bruksel, Komisioni Evropian nuk ka shfaqur shenja agresiviteti.
Lëvizja protestuese nuk është gjithashtu pa paqartësi, me shumë slogane nacionaliste dhe pro-ruse midis protestave. Kjo nuk duhet ta pengojë BE-në të përballet me të dukshmen: vazhdimi i negociatave të pranimit me Serbinë nën udhëheqjen e Aleksandar Vuçiç është bërë i pakuptimtë. Kjo vetëm sa përforcon bindjen e opozitarëve serbë, të cilët besojnë se Evropa mbështet autokratin e tyre.

