Shkrime
Një pyetje e frikshme po qarkullon në kafenetë politike/ Pas Teutës, mbretëresha jonë e dytë do jetë Meloni
A po kthehet Shqipëria në vitet ’30?
Në korridoret politike (de facto prej shekujsh: në kafenetë politike) po qarkullon një pyetje e frikshme: mos vallë po kthehemi ngadalë, me buzëqeshje europiane dhe firmosje elegante, në një protektorat modern të Italisë?
Thuajse një shekull më parë, Roma vinte në trojet tona me anije ushtarake, ndërsa sot mjafton një zarf nga Brukseli, dy fjali nga Komisioni dhe një “dakord jam” nga Tirana zyrtare.
Kryeministri Rama duket se është gati të pranojë çdo kusht që shfaqet në horizont (edhe ato që s’i ka kërkuar njeri), vetëm që të shkruajë emrin si njeriu që anëtarësoi Shqipërinë në BE. Nuk i intereson mënyra dhe forma, por vetëm faza finale. Në emër të ëndrrës së anëtarësimit në BE, thonë kritikët e tij, Rama po shfaq një gatishmëri të çuditshme: një lloj entuziazmi akrobatik që vetëm njerëzit shumë fleksibël politikisht mund ta arrijnë. Sa herë Brukseli kërkon diçka, Tirana përgjigjet me një “Po, patjetër”, që do ta kishte zili edhe Alexa e Amazonit.
Debati po nxehet sidomos rreth idesë se Shqipëria, në këtë version “të butë” të anëtarësimit, mund të mos ketë të drejtë vetoje. E thënë ndryshe: ne brenda BE-së, por pa butona, thjesht si një hallë a teze e moshuar, e cila qëndron në cep të dhomës duke pirë një gotë ujë. Praktikisht, një hije që numërohet. Shtet anëtar, por me telekomandë të huaj. Mund ta themi edhe ndryshe: hyrje në restorant, por me kusht që të mos flasim me zë të lartë dhe të mos ngremë dorën pa leje.
Edhe më pikante është çështja e përfaqësimit. Varianti i përmendur deri tani është ai sipas të cilit komisionerët italianë do të prezantojnë Shqipërinë në nivelet e larta vendimmarrëse të BE-së. Një tablo sa absurde, aq edhe ironike – njëfarë rikthimi i Princ Vidit, jo gjerman apo austriak, por italian, i cili na merr përdore në version teknokratik, me dokumente Excel apo PDF dhe jo me uniformë. E gjithë kjo nxit pyetjen: kur të prezantojnë interesat tona, do ta bëjnë me gjestikulacion tipik italian, apo me fjalinë “ne dhe vëllezërit tanë shqiptarë”?
Kritikët e kësaj qasjeje e konsiderojnë këtë proces si një anëtarësim të limituar, formal dhe dekorativ. Për sy e faqe, për botën, se në provincën tonë Shqipëri gjithmonë kemi merakun e mendimeve të botës (shpesh bota është thjesht komshiu). Një vend në tavolinë, por pa pirun e thikë. Thënë ndryshe, “VIP pa akses në prapaskenë”. Duket se në këtë skenar Shqipëria do të jetë pjesë e Unionit vetëm për të bërë foto të bukura dhe për të thënë: “Ja, e arritëm!” Ndërkohë, vendimet reale merren diku tjetër, nga njerëz që nuk flasin shqip.
Një fakt mbetet i pamohueshëm: Shqipëria është në një udhëkryq historik për t’u bërë protektorat. Pas Teutës, mbretëresha jonë e dytë do të jetë Georgia Meloni. Me keqardhje, por duket se vitet ’30 nuk po kthehen, por po ribotohen. Këtë herë, në format dixhital, me dizajn europian dhe me titullin elegant “Integrim i Përshkallëzuar”. FJALA.AL