Connect with us

Bota

Njerezit në Gaza po shuhen ngadalë nga arma e urisë, nga plumbat dhe nga poshtërimi, kurse bota hesht

Nga Kholoud Jarada*

Kanë qenë ditët më të këqija nga 652 ditët që kemi përjetuar që kur filluan gjenocidi dhe dëbimi me forcë. Pa përmendur shpërthimet e tmerrshme që vazhdojnë të shkatërrojnë atë që ka mbetur nga Gaza, apo urdhrat poshtërues të evakuimit, nuk mund të mos flas për urinë: uria është bërë arma më vdekjeprurëse që po përdoret kundër nesh.

Për muaj të tërë kemi tentuar të qëndrojmë, por tani jemi të kequshqyer dhe të dobët dhe, me përkeqësimin e situatës, nuk jemi më në gjendje të përballojmë ditë të tëra pa ngrënë. Prej javësh, askush në Gaza nuk është ndier i ngopur, qoftë edhe pak. Kur ecën rrugëve, është e pamundur të mos shohësh sa të rraskapitur dhe të lodhur janë të gjithë.

Efektet e urisë lexohen në fytyrat tona të gërryera dhe në trupat tanë të tretur. Vazhdoj të vëzhgoj njerëzit përreth – në punë, në spitale, në rrugë, në shtëpi – dhe pa pasur nevojë të pyes, e di që uria po i përvëlon përbrenda. E ndiej brenda vetes, ashtu sikurse tek secili që më rrethon. Në këtë moment, është e vetmja ndjesi që kemi.

Njerëzve po u bie të fikët në rrugë, spitalet – përveç të plagosurve – po mbushen me të kequshqyer. Shumë kanë vdekur nga hipoglicemia, kur një lugë sheqer ose një gllënjkë lëng frutash do t’i kishte shpëtuar. Dhe nuk mund të bëjmë asgjë. Mjekët që përpiqen t’i kurojnë, janë edhe vetë të uritur. Edhe gazetarët që raportojnë për këtë uri, po vdesin nga uria.

Deri tani, kequshqyerja ka vrarë 76 fëmijë, dhe rreth 600 mijë të tjerë janë në rrezik vdekjeje të afërt, për të njëjtën arsye. Shumë prej tyre tashmë janë të shtruar, por spitalet nuk kanë mjete bazike për t’i shpëtuar. Prindërit dhe mjekët nuk mund të bëjnë gjë tjetër veçse t’i shohin duke u shuar. A mund ta imagjinoni një situatë të tillë pafuqie dhe dhimbjeje nga ana e nënave dhe baballarëve që kanë hequr dorë nga racioni i tyre ushqimor për të provuar – më kot – t’i shpëtojnë? Shumë fëmijë tani ndihen në faj kur thonë “kam uri”: e dinë që vetëm prindërit e tyre do të vuajnë më tej.

Tregjet tashmë janë bosh, nuk gjendet më asgjë, as me çmime të shfrenuara. Edhe nëse ke para, nuk mund të blesh dot asgjë, sepse nuk ka çfarë të blesh. Kjo nuk është varfëri, nuk është mungesë burimesh: kjo është uri e qëllimshme dhe e organizuar. Është një armë lufte.

Qindra kamionë me ndihma dhe ushqime janë bllokuar në kufi. Mjafton të vendoset t’u lejohet hyrja. Ata pak që arrijnë të hyjnë nuk mjaftojnë. Deri tani të paktën 995 persona kanë vdekur dhe 6.000 janë plagosur, ndërkohë që përpiqeshin të merrnin ndihma.

Çdo mëngjes në familjen time fillon një diskutim i pafund, se si do t’ia dalim të mbijetojmë gjatë ditës. Nuk hamë mish, pulë, vezë, fruta të thata apo bulmet që nga shkurti. Vëllai im endet rrugëve duke kërkuar diçka për të blerë. Kur gjen ndonjë ushqim të pashijshëm dhe të pamjaftueshëm, unë ndiej fajin që më kafshon stomakun me çdo kafshatë, duke ditur që shumë të tjerë nuk mund të përballojnë as një gllënjkë ujë.

Gjëja më e tmerrshme e urisë është, se sa poshtëruese është.

Ja ku jemi: po vdesim ngadalë, ndërsa bota sheh dhe lejon që e gjithë kjo të ndodhë.

*Mjeke interniste, 24 vjeç, jeton në Gaza. (Bota.al)

Advertisement