Connect with us

Shkrime

Ohri zero për Veriun/ Weber: Lista Srpska s’lejon askënd të drejtojë atje

Lista “Srpska” në Kosovë, që drejtohet nga Goran Rakiq, ka vendosur që përfundimisht të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale për katër komunat veriore. Ndaj një vendimi të tillë të partisë që dirigjohet nga pushteti në Serbi kanë reaguar shtetet e QUINT-it. SHBA, Franca, Italia, Gjermania dhe Britania e Madhe kanë shprehur keqardhjen që “Lista Srpska” ka marrë një vendim të tillë dhe kanë bërë thirrje që të mos bëhen veprime që do të shkaktonin prishje të zgjedhjeve.

Lidhur me këtë situatë të krijuar, ka folur analisti gjerman, Bodo Weber. Ai tha se komunikata e ambasadorëve të QUINT-it e thotë qartë që zgjedhjet do të mbahen pa pjesëmarrjen e Listës Srpska me shpresën se s’do të ketë probleme të mëdha kur të organizohen zgjedhjet.

Sipas ekspertit gjerman, e gjithë kjo që po ndodhë është konfirmim i dobësisë së negociatave të Ohrit. Weber tha se ka qenë e qartë që pa vendosur afate për themelimin e Asociacionit, Vuçic nuk do ta lejonte Listën Serbe të merrte pjesë në zgjedhje.

“Ky është vetëm një konfirmim i dobësisë së të gjithë negociatave të dialogut politik dhe të marrëveshjes së Ohrit, ku çështja e kthimit të serbëve në veri në institucionet e Kosovës, që më parë pritej të përbënte një pjesë të rëndësishme të marrëveshjes, as që është prekur. Pa afate në aneksin e zbatimit, duke përfshirë themelimin e Asociacionit, ishte e qartë se Vuçic nuk do ta lejonte Listën Serbe të merrte pjesë në zgjedhje”, – deklaroi Bodo Weber

Por, a nënkupton ky qëndrim i QUINT-it një “vdekje politike” për Listën Srpska dhe a është ky qëndrim ndaj tyre një lloj zgjidhje?

Weber shprehet se nuk e sheh këtë si rezultat të ndonjë strategjie të Perëndimit, por vetëm të dobësisë dhe dështimit politik.

“Kjo tregon se vazhdimi i largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës, mbetet i pazgjidhur, duke i kthyer zgjedhjet e prillit pak a shumë të parëndësishme, pa ndikim serioz në rolin dominues të Listës Srpska në veri”, ka potencuar Weber.

I pyetur nëse ka kapacitete politike në veri për të zëvendësuar partinë e Goran Rakiqit, Weber shtoi se s’është në pyetje kapaciteti, por fuqia dhe kontrolli. Ai tha se në komunat me shumicë serbe ka një sistem de-facto një partiak që bashkëvepron me nëntokën e krimit dhe që është nën kontrollin e Vuçic

Sipas tij, zgjedhjet në katër komunat veriore s’e ndryshojnë këtë gjendje dhe thotë se kushdo që i fiton zgjedhjet s’do të lejohet që të drejtojë institucionet komunale që funksionojnë sipas ligjit të Kosovës.

Weber gjithashtu shprehet e bindur që mund të ketë përshkallëzim të situatës në veri, meqë sipas tij marrëveshja në Ohër s’ka zgjidhur asgjë për veriun.

Advertisement