Connect with us

Bota

Operacioni sekret: Machado largohet nga Venezuela, në një manovër të koordinuar ndërkombëtare

Burime të besueshme diplomatike në kanale të ndryshme komunikimi kanë pohuar se opozitarja venezuelase María Corina Machado ka mbërritur në Evropë pas një operacioni të sofistikuar dhe tërësisht të fshehtë të organizuar nga partnerët ndërkombëtarë, me përfshirje të drejtpërdrejtë të SHBA-ve.

Largimi i saj është kryer përmes fluturimit të fundit të deportimit nga Shtetet e Bashkuara drejt Venezuelës – një manovër e pazakontë, e cila ka shmangur çdo ndërhyrje ose reagim të menjëhershëm nga regjimi i Caracas-it kundrejt fitueses së çmimit Nobel për Paqen 2025.

Sipas informacionit të siguruar paraprakisht nga media që operojnë në fushën e mbrojtjes, avioni që transportonte qytetarë të deportuar nga SHBA-të hyri në hapësirën ajrore të Venezuelës i eskortuar nga një F-18 dhe një F-35, ndërsa anije të Marinës Amerikane u pozicionuan pranë bregdetit venezuelas.

Në këtë fluturim ndodheshin gjithashtu diplomatë dhe familjarë të tyre, të cilët, sipas protokollit, nuk i nënshtrohen kontrolleve të imëta kufitare.

Kjo situatë krijoi një dritare të rrallë mundësie: aeroporti ishte pothuajse bosh, me mungesë të plotë të sigurisë operative, çka i mundësoi Machados të kamuflohej mes delegacionit diplomatik pa u identifikuar nga autoritetet venezuelase.

Pasi të deportuarit përfunduan procedurat dhe dolën nga aeroporti, avioni qëndroi në Venezuelë rreth dy orë, përpara se të ngrihej sërish. Fluturimi vijoi drejt Puerto Rico-s për t’u furnizuar me karburant dhe më pas u kthye në SHBA.

Ndërkohë që María Corina vijoi itinerarin e saj drejt Evropës, ku mendohet se do të marrë të dorëzuar edhe zyrtarisht Nobelin, në një ceremoni të posaçme.

Gjatë lëvizjes, ajo ka komunikuar me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio dhe me presidentin Donald Trump, përpara nisjes drejt Norvegjisë.

Më pas, Machado u raportua se ndodhet tashmë në Evropë, me destinacionin përfundimtar Oslo, ku ka mbërritur më herët edhe Edmundo González Urrutia, presidenti i zgjedhur nga opozita dhe i njohur nga Asambleja e vitit 2015 si President legjitim i Venezuelës.

Në kryeqytetin norvegjez ndodhen gjithashtu:

  • anëtarë të Asamblesë Kombëtare të vitit 2015;
  • ambasadorë dhe përfaqësues diplomatikë nga vende të ndryshme;
  • përfaqësues të organizatave ndërkombëtare;
  • udhëheqës politikë nga disa shtete aleate.

Javier Milei i Argjentinës është nisur po ashtu drejt Oslos, si një ndër aleatët më të afërt të Donald Trump në Amerikën e Jugut.

Sipas pritshmërive, ka shumë gjasë që në Oslo të zhvillohet po ashtu ceremonia e betimit të González Urrutias si President i Venezuelës, së bashku me shpalljen e dekreteve të tij të para presidenciale.

Pse SHBA nuk ndërhyri në territorin venezuelas

Zyrtarë amerikanë kishin shpjeguar më herët se arsyeja kryesore për mungesën e një operacioni tokësor ishte rreziku i kapjes së Machados nga regjimi, nëse ajo do të qëndronte brenda territorit venezuelas.

Në një situatë të tillë, Machado mund të shndërrohej në peng politik, duke ndalur menjëherë procesin e tranzicionit.

Largimi i saj i sigurt drejt Evropës ka eliminuar këtë rrezik.

Me këtë operacion, shumë aktorë ndërkombëtarë besojnë se është hapur një dritare e re për të ardhmen politike të Venezuelës, duke parë edhe retorikën e ashpër në distancë mes Trump dhe diktatorit venezuelas, Nicolas Maduro.

Advertisement