Connect with us

Rajon

Opozita serbe letër BE-së: Mos i njihni zgjedhjet në Serbi

Lista zgjedhore, apo koalicioni opozitar, “Serbia kundër dhunës (SPN)”, u ka shkruar një letër institucioneve evropiane, ku i ka kërkuar që të mos i njohin rezultatet e zgjedhjeve parlamentare, provinciale dhe veçanërisht lokale në Serbi, derisa të përfundojë një hetim i plotë ndërkombëtar për parregullsitë zgjedhore, të cilat janë ngritur edhe nga vetë bashkësia ndërkombëtare.

Zgjedhjet në Serbi u mbajtën më 17 dhjetor, dhe sipas rezultateve preliminare ato i ka fituar Partia Progresive Serbe (SNS) – partia e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç. Këto zgjedhje, nga ata që i kanë vëzhguar, janë konsideruar që kanë pasur parregullsi të shumta.

Ndërsa në letrën, të cilën e ka publikuar rrjeti ballkanik i lajmeve “N1”, thuhet se “Serbia kundër dhunës” nuk pranon dhe nuk do të pranojë rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura më 17 dhjetor 2023.

Përfaqësuesve të demokracive evropiane u kërkohet të fillojnë “një hetim të plotë ndërkombëtar për parregullsitë zgjedhore nën kujdesin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Këshillit të Evropës dhe Komisionit Evropian, me theks të veçantë në zgjedhjet për Kuvendin e Qytetit të Beogradit”.

Letra iu drejtua kryetarëve të Parlamentit Evropian, Këshillit Evropian, Komisionit Evropian, anëtarëve të PE-së, kryetarëve të komisioneve për punë të jashtme të parlamenteve të vendeve anëtare të BE-së, Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, kolegjit të komisionerëve dhe përfaqësuesve të shteteve anëtare.

Bashkimi Evropian, sipas opozites, duhet të ndalojë urgjentisht politikën e qetësimit të qeverisë në Serbi dhe të fillojë të përdorë mjetet në dispozicion kundër anëtarëve të partisë në pushtet “të përfshirë në mashtrime zgjedhore, dhe në këtë mënyrë të ndihmojë qytetarët e Serbisë në rivendosjen e sundimit të ligjit dhe demokracisë”.

“Nëse BE e humb këtë mundësi për të shprehur mbështetjen e tij për qytetarët e Serbisë, të cilët kërkojnë demokraci dhe vlera themelore evropiane në këtë moment kritik, çdo perspektivë për një Serbi demokratike dhe evropiane si një shtet i ardhshëm anëtar i BE-së do të trajtohet me një problem të madh”, thuhet në letër.

Advertisement