Connect with us

Aktualitet

OPOZITË-QEVERI, BASHKË KUNDËR NESH!

Nga Andi Bora
OPOZITË-QEVERI, BASHKË KUNDËR NESH!
Nëse ka moment më të fortë për të reflektuar mbi këta që na kanë qeverisur për mbi dy-tre dekada, është pikërisht ky.
Po dalin në sipërfaqe të gjitha marrëveshjet e fshehta midis qeverisë dhe opozitës, po shpërfaqen zullumet politike, po shihet qartë që vendin e kanë shitur të dyja palët për interesa të tyre të përbashkëta.
Dhe nëse diskutojmë për kullat në Tiranë dhe ndërtimet në bregdet, shumë-kush mund të thotë që ja, paratë e krimit, paratë e drogës, por JO! Ato janë paratë e korrupsionit qeveri-opozitë!
Një ish-deputete, që ju ndërpre mandati vetëm tre muaj më parë, dukshëm tha në një postim atë që nuk guxoi kurrë ta thoshte kur ishte me pushtetin opozitar; që opozita është pjesë e skemës së ndërtimit dhe marrjes së lejeve për to nga qeveria!
A është e mundur që të gjithë së bashku, të ulemi për pak minuta dhe të bëjmë një reflektim…
Si e degradoi kjo qeveri vendin për 12 vite? Si i përzuri me qindra e mijëra shqiptarë? Si po i lë të moshuarit në mjerim dhe të tjerët në kufijtë e mbijetesës?
A do mundej ta bënte dot këtë nëse opozita nuk do të mbyllte sytë?
Unë mendoj që JO! Opozita sot është bashkëfajtore e këtij sistemi që po shpopullon vendin nga keqqeverisja! PO!
Duket paradoksale sepse opozita fshihet pas kostumit pa pushtet, por këtë nuk e them unë, e thonë ish-pjesëtarët e tyre që sot nuk gëzojnë dot më pushtetin OPOZITAR!
Ajo që po shohim këto ditë, me një qeveri në mjerimin e përballjes me drejtësinë për vjedhje dhe shkatërrim, dhe opozitën në mjerimin e drejtimit të plakur, është pikërisht ajo që do duhej ta kishim kuptuar me kohë!
Para zgjedhjeve të 11 majit, e kam thënë mediatikisht që binomi Opozitë-Mazhorancë janë në marrëveshje për çdo zhvillim, kryesisht negativ!
Nuk ka më shfajësim për qeverinë që ka vjedhur miliarda nga xhepat tanë, për investime që po shemben pas çdo reshje shiu!
Nuk ka më justifikim për opozitën që po vdes në moshën 35-vjeçare, që po përpëlitet me moshën e kryetarit në betejën për një udhëtim 8 orarësh përtej oqeanit!
Vetëm lexoni çfarë ndodh rreth e qark jush! Njerëz të stresuar, shoferë që kanë humbur sensin e drejtimit të makinës, të rinj që kanë zëvendësuar stilolapsin me thikë, adoleshentë që shokun e shkollës e shohin si armik, kamarierë që ta marrin porosinë me presion. Është zhdukur buzëqeshja në këtë vend! Dhembshurinë e morën me vete 1 milionë të larguarit në këto 10 vite!
Këtu nuk ka mbetur më ASGJË! Këtu kanë mbetur vetëm ata që janë marrë peng nga sistemi. Kam mbetur unë dhe ti që ende na ka ngelur një fije shpresë aty në fund të tunelit, që dhe këtë shpresojmë mos ta kenë ndërtuar me kompani turke dhe me tender të paracaktuar.
Ne që mendojmë se po japim një kontribut sado të vogël shoqëror!
Opozita e shiti këtë rol. E shiti tek lufta për leje ndërtimit. E shiti tek pushteti për pushtet opozitar. Një pushtet që s’ishte parë kurrë vitet e kaluara në këtë nivel. Një pushtet me shumë para dhe me interesa që askujt nuk ia merr mendja.
A mundem unë sot të mendoj që kjo qeveri ka dikë që e sfidon?
Po si mund të ketë ky sistem qeverisës një kundërshtar politik? Kundërshtari është shndërruar në kolonën qendrore që mban në këmbë sistemin e kalbur.
Dhe kjo është opozita!
Sot më shumë se kurrë do të doja ti jepja shuplaka opozitës. Mëngjes, drekë, darkë dhe sa të më hante dora! Ata janë fajtori i bashkëqeverisjes së fshehtë!
Kësaj bashkëqeverisjeje kundër drejtësisë që godet, kundër frymës së lirë, kundër lulëzimit të ekonomisë së lirë, kundër përfshirjes së energjisë rinore.
Unë mendoj që ata JANË BASHKË, në luftë KUNDËR NESH! Për ne s’ka ngelur më askush në ato 140 karrige!
Advertisement