Politike
“Or budallenj, jam Sali Berisha unë”, kryedemokrati: Mjerë ai që…
Kreu i PD-së, Sali Berisha iu përgjigj akuzave se me fjalimet e tij nga dritarja e banesës po thyen vendimin e gjykatës.
Ai u shpreh se respekton Kushtetutën demokratike të vendit, por përveç asaj tha se ka edhe një Kushtetutë të dytë, atë të ndërgjegjes së tij që siç tha ai nuk ja shkel dot askush, përveç Zotit.
PJESË NGA FJALA E BERISHËS:
Të rinj dhe të reja. Historia jonë ka qenë e dhimbshme, shumë e dhimbshme. Por përsëri komb fatlum në kuptimin që jetuam në perandoria lindore shekuj e shekuj, po përsëri u zgjuam në vokacionin tonë perëndimor. I them këto fjalë për të mos pasur asnjë iluzion se e ardhmja e vetme e shkëlqyer e Shqipërisë dhe shqiptarëve është Bashkimi Europian.
Por ju e patë Edi Ramën në Bruksel, kloun dhe vetëm kloun. Turp dhe vetëm turp.
U kthye nga Brukseli dhe në një akt cinik ndaj shqiptarëve, njësoj si në vitin 2017, festoi hapjen e negociatave.
Miqtë e mi, a do e durojmë ne më shumë këtë njeri? Sot ishte në Lezhë. Qeverinë e tij e kryesoi aty Arben Ndoka. Kishte ftuar edhe Bajrët dhe bandat e tjera të veriut sepse veriu, ky armik i egër i tij, e do vetëm për banditët dhe bandat e tij.
Shkoi në Lezhë në një kohë kur nga Fushë Kruja, në të katër anët, investimet që janë bërë në 10 vite, janë dy herë më të pakta se ato që janë vjedhur në inceneratorin e Tiranës, i cili nuk ka asnjë objekt të ndërtuar.
Shkoi në Lezhë, foli për portin, mashtron dhe vetëm mashtron. NATO nuk përzihet kurrë në aferat korruptive të Pashiqit shqiptar, Edi Ramës.
Pra, çfarë po ndodh me ne? Ne nuk votojmë se votën na e numëron Edi Rama. Shqiptarët paguajnë taksa, taksat ua vjedh Edi Rama me ministrat tij. Shqiptarët kërkojnë të drejtat, të drejtat u cungohen në gjykatat e Edi Ramës. E vetmja alternativë për ta është të largohen. Jo miq, duhet të largojmë Edi Ramën, të shpëtojmë Shqipërinë, të shpëtojmë veten tonë, të rivendosim pluralizmin. Kjo betejë, kjo rrugë po e tmerron atë çdo ditë. Dëgjoni dhe shikoni hajdutët që kanë frikë të tmerrshme sepse nga mëngjesi deri në darkë, gromësijnë vjedhjet e tyre.
Dëgjoni çfarë thonë, po flet, po shkel rregullat Sali Berisha, po shkel vendimet Sali Berisha. Më lejoni t’u them këtu, or budallenj, unë jam Sali Berisha. Dhe dëgjoni këtu t’u them se Sali Berisha ka një Kushtetutë të vendit, të cilën e ka respektuar me rigorozitetin më të madh sepse ajo është Kushtetutë demokratike. Por krahas saj, kushdo që e shkel atë, Sali Berisha ka një Kushtetutë të dytë, të cilën nuk ia shkel dot njeri mbi tokë përveç Zotit dhe kjo është ndërgjegjja e tij.
Mjerë ai që mendon dhe beson se mund t’i shkelmojë Sali Berishës, Kushtetutën supreme, Kushtetutën e ndërgjegjes së tij.
Ndaj dhe i them edhe njëherë, Edvin, rruga e Surrelit është rruga e turpit, është rruga e vjedhjes, është rruga e drogës, është rruga e mashtrimit, është rruga e dështimit. Rruga nën ballkon është rruga e fitores, është rruga e shpresës, është rruga e besimit, është rruga e shqiptarëve, është rruga e fitores. Rrofshi ju, rroftë fitorja, rroftë Shqipëria.