Kosova
Osmani vesh kostumin e presidentes/ Kurti dhe aleatët të ulen për një plan për dinarin
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se problemi që lindi mes Qeverisë së Kosovës dhe ndërkombëtarëve në lidhje me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila largon nga përdorimi dinarin serb, është vetëm “mënyra se si u komunikua” dhe theksoi se “gjithçka që kemi arritur në këtë vend, është rezultat i bashkëpunimit me partnerët tanë ndërkombëtarë”.
Sipas Osmanit, urgjentisht duhet të dilet nga kjo situatë duke arritur një marrëveshje me partnerët për një plan zbatimi të rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës. Sipas saj, ka hapësirë “për t’u ulur dhe për të diskutuar mes qeverisë dhe aleatëve ndërkombëtarë”, për të punuar rreth kësaj çështjeje.
“Unë mendoj se është vetëm çështje komunikimi” – deklaroi presidentja në një intervistë për mediumin arab “Al Aan” dhe u shpreh e sigurt se do të zgjidhet çështja e dinarit, pasi tha se “Do të ishte qesharake të mos zgjidhej”
Kujtojmë se vetë pak ditë më parë, në një intervistë për Zërin e Amerikës, Ndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara me vendimin e qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit.
Ai tha se me këtë qëndrim, qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier gjithahstu ka theksuar se padëgjueshmëria e Albin Kurtit në lidhje me dinarin, veçse ka dëmtuar raportet me SHBA.
Nga ana tjetër, kryesuesi i Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Gjermanisë, Michael Roth, reagoi pas akuzave të ambasadorit dhe i cilësoi ato si “shembull tjetër i deklaratave të pabalacuara” se vendimi i Kosovës për ndalimin e dinarit nxit “tensione të panevojshme”
Në këtë drejtim, gjithashtu kryesuesja e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, reagoi duke akuzuar SHBA-në se nuk është duke trajtuar njësoj veprimet e autoriteteve kosovare dhe serbe në nxitjen e tensioneve.