Bota
‘Palestinezët në Gaza po na luten, duan që ne ti çlirojmë nga Hamasi, dhe do ta bëjmë’

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka mbrojtur me fanatizëm planin e tij për Gazën, në një fjalim të zjarrtë drejtuar popullit dhe opinionit mbarëkombëtar, duke shfaqur pesë pikat thelbësore të aksionit, por duke folur gjerësisht edhe për krizën e urisë mes palestinezëve, për të cilën ka akuzuar Hamasin si shkaktar.
Gjatë adresimit të tij publik, Netanyahu ka përmbledhur se plani i Izraelit nuk është ai i pushtimit të Gazës, por i shfarosjes së Hamasit dhe për këtë, pretendon se edhe vetë palestinezët “po i luten Izraelit”.
Hamasin Netanyahu e quajtur një “organizatë gjenocidale”, teksa shtoi se asnjë komb nuk do të pajtohej me të pasurit një entitet të tillë vetëm një hedhje guri larg në kufi.
Adresimi vjen në një kohë kur mbledhja e radhës e Këshillit të Sigurimit mbi Gazën ka filluar, por akuzat e Netanyahut janë të forta.
Ai fillimisht shtron pesë “parimet” për fundin e luftës, të paraqitura më herët edhe nga Albanian Post:
-Çarmatimi i Hamasit,
-Kthimi i të gjithë pengjeve,
-Çarmatimi i Rripit të Gazës,
-Izraeli merr “kontrollin mbizotërues të sigurisë” në Rrip,
-Krijimi i një “administrate civile alternative” që nuk është Hamasi ose Autoriteti Palestinez.
Më pas, thotë se Izraeli nuk ka asnjë zgjedhje tjetër, përveçse të zgjerojë ofensivën e vet ushtarake në Gaza.
E më tej, kalon tek pjesa e kobshme e fjalimit!
Sipas kryeministrit izraelit, Benjamin Netnayahu, nëse ai do të ndiqte një politikë urie në Gaza, atëherë askush prej popullatës aty nuk do të ishte gjallë.
Kështu tha ai në një fjalim të zjarrtë përpara popullit, teksa ka mbrojtur idenë e tij për marrjen e plotë të Rripit.
Netanyahu thotë se Izraeli do t’i mundësojë popullsisë civile të largohet në mënyrë të sigurt nga zonat e luftimeve, për në zonat e sigurta të caktuara.
“Atyre do t’u jepet ushqim, ujë dhe kujdes mjekësor siç kemi bërë më parë”, tha kryeministri izraelit, duke shtuar se qëllimi i Izraelit është të shmangë një krizë humanitare.
Ai shtoi se “qindra kamionë kanë hyrë në Gaza”.
“Nëse Izraeli do të zbatonte një politikë urie”, thotë ai, “askush në Gaza nuk do të kishte mbijetuar pas dy vitesh lufte”.
Ai përmend edhe se Izraeli ka dërguar dhe bërë miliona mesazhe dhe telefonata për t’u thënë civilëve të largohen nga rreziku.
Duke mbrojtur planin për të hyrë në Gaza, ai tha se ndihmat do të shtohen për popullatën izraelite në një plan tre-pjesësh.
Megjithatë, ka kritikuar ashpër mediat ndërkombëtare për transmetimin e pamjeve nga Gaza, duke i quajtur të rreme raportimet se popullata aty po shtyhet drejt urisë.
Netanyahu thotë se shtypi ndërkombëtar i është bindur asaj që ai e përshkruan si propagandë të Hamasit “të pabazuar”.
Ai tregon foto të fëmijëve të kequshqyer që janë botuar në faqet e para të gazetave anembanë botës – faqet e para kanë etiketa të shtuara mbi to që thonë “të rreme”.
Netanyahu thotë se qeveria po ngre padi kundër New York Times për përdorimin e një imazhi të një fëmije që vuan nga uria në faqen e tyre të parë, i cili gjithashtu kishte probleme shëndetësore. Ai thotë se nëna dhe vëllai i fëmijës janë të shëndetshëm dhe pretendon se gazeta fshehu një korrigjim.
Ai e kritikon mbulimin nga shtypi të urisë në Gaza dhe e krahason atë me “gënjeshtrat keqdashëse që u thanë për popullin hebre në Mesjetë”.
Teksa revoltën më të madhe e pati karshi Hamasit, duke thënë se janë pengjet izraelite në fakt, ata të cilët po shtyhen drejt vdekjes përmes urisë.
Ndërsa, rreth lejimit të medias në Gaza, ai ka thënë se tashmë ka një plan për t’u garantuar sigurinë atyre dhe se Forcat e Mbrojtjes së Izraelit do të çojnë brenda Gazës edhe gazetarët, për të raportuar situatën.
Shpresa është se pengjet megjithatë, do t’i sjellë të gjallë në Izrael, falë këtij aksioni, për të cilin thotë se do të jetë shumë i shpejtë.
Dhe në fund, fajësimi tërësor i Hamasit për krizën në Gaza.
Netanyahu fajëson Hamasin për plaçkitjen e furnizimeve dhe thotë se Hamasi ka krijuar krizën e ndihmës.
Ai përsërit mohimin e tij se Izraeli ka një “politikë urie” në Gaza – por pranon se ka pasur “privim” në Rrip.
Netanyahu pyetet gjithashtu për palestinezët e vrarë në vendet e GHF. Ai thotë se “shumë nga të shtënat u kryen nga Hamasi”.
Hamasi ka mohuar vazhdimisht pretendimet se po vjedh furnizime të destinuara për civilët. Një analizë e brendshme e kohëve të fundit nga qeveria amerikane nuk gjeti prova për vjedhje sistematike të furnizimeve humanitare, raportuan së fundmi Reuters dhe CNN.

