Aktualitet
PAMJET/ Shoferi i prokurorit të SPAK kërcënon shefin e Rrugores në Elbasan (EMRAT)

Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në qytetin e Elbasanit, ku shoferi i një Prokurori të SPAK është vënë nën hetim për sjellje të papranueshme ndaj strukturave të policisë.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka proceduar në gjendje të lirë shtetasin Mateo Ademi, 25 vjeç, me gradën Inspektor pranë Gardës së Republikës, i cili shërben si shofer i Prokurorit të Posaçëm Alfred Shehu.
Sipas burimeve të Ora News, në orët e para të paradites së sotme, pranë godinës së Postës në qytetin e Elbasanit, Ademi ka pasur një përplasje verbale me Shefin e Qarkullimit Rrugor të DVP Elbasan, duke e kanosur për shkak të detyrës.
Menjëherë pas incidentit, ngjarja u referua për hetim dhe AMP ka vendosur procedimin penal të Ademit për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit Penal. Ai do të hetohet në gjendje të lirë, ndërsa pritet që çështja të marrë rrugën ligjore.
Rasti ka ngjallur reagime të forta, pasi bëhet fjalë për një punonjës të Gardës së Republikës, i caktuar në një detyrë delikate pranë një prokurori të SPAK, institucionit më të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ky zhvillim ngre pikëpyetje serioze mbi sjelljen, përgjegjësinë dhe filtrat e kontrollit të personelit që shërben pranë figurave kyçe të drejtësisë shqiptare.

