Bota
Paqja e pyetjeve të vështira/ Al-Sharaa kthen përmbys përkufizimin e terrorizmit
Në një intervistë të ngarkuar emocionalisht dhe politikisht, presidenti sirian Ahmad al-Sharaa iu përgjigj pyetjeve të gazetares së njohur Christiane Amanpour për të kaluarën e tij të dyshuar si të lidhur me terrorizmin, duke përdorur një taktikë të njohur politike: rikthimin e përkufizimit tek akuzuesi.
“Çfarë do të thotë terrorist?”, ishte kundërpyetja e tij.
Përgjigjen e ktheu po vetë.
Sipas al-Sharaa, terroristi është kushdo që vret njerëz të pafajshëm – fëmijë, gra, civilë – dhe përdor mjete të paligjshme për t’i shkaktuar dëm popullsisë.
Por, duke u mbështetur në këtë standard, ai e zgjeroi menjëherë akuzën tek aktorë të tjerë globalë.
Al-Sharaa përmendi 60 mijë viktimat civile në Gaza, duke theksuar se shumica janë të pafajshëm dhe krahasoi heshtjen ndërkombëtare me qëndrimin ndaj regjimit sirian – të cilin ai e akuzoi rëndë.
Ai deklaroi se regjimi sirian ka vrarë më shumë se 1 milion njerëz gjatë 14 viteve, me 250 mijë të zhdukur ende dhe 14 milionë të tjerë zhvendosur.
Megjithatë, sipas tij, regjimi nuk etiketohet kurrë si “terrorist”.
Presidenti sirian e zgjeroi analizën e tij tek ndërhyrjet ushtarake në Afganistan dhe Irak, duke argumentuar se edhe aty shumica e viktimave kanë qenë civilë dhe se shpesh ata që vendosin etiketën “terrorist” janë vetë shkaktarët e shkatërrimit.
Mesazhi i tij final ishte se koha ka ndryshuar perceptimin global dhe se publiku ndërkombëtar kupton më qartë se kush meriton vërtet etiketën ‘terrorist’.