Shkrime
Paranoja e Sali Berishës dhe Koka e Trenit Bullgar që nuk po del nga tuneli

“Paranoia” zgjedhore e Sali Berishës është zgjeruar dhe thelluar. Është e qenësishme të mos i zësh besë kundërshtarëve për çështje procesi, por kryedemokrati, retorikën e tij e ka shtrirë dukshëm edhe ndaj të vetëve. Denoncimet e tija për “farsë elektorale” kanë kapur komisionarët e Partisë Demokratike.
Fenomeni quhet “treni bullgar”. Pretendimi është se në Elbasan, në një fshat, ky fenomen ka qenë pjesë e procesit zgjedhor dhe është kryer nga eksponentë të mazhorancës. Mirëpo, sipas Berishës, për këtë duhet të hetohen edhe komisionerë të PD-së, nëse kanë bërë shkelje.
Provat e paraqitura nga Berisha janë disa pamje filmike, të cilat po ashtu ai mendon se duhet të hetohen për të pasur një pasqyrë të gjallë të asaj çfarë mund të ketë ndodhur.
“Në farsën elektorale të 11 majit u përdorën të gjitha metodat për manipulimin e zgjedhjeve, njëra prej të cilave përdoret gjerësisht nga Putini dhe Lukashenko dhe njihet me emrin e ‘trenit bullgar’”, përmendi Berisha.
Ndërsa shtoi: “Nuk mund të gjykoj sepse kërkon një hetim. Shqetësimi është shumë i drejtë, por kjo kërkon një hetim. Duhet hetuar. Rregulli është ai që thoni ju, por e vërteta është kjo që tregon filmi”.
Pavarësisht se pranon se edhe të tijët mund t’i nënshtrohen këtij hetimi, akuzat më të madh megjithatë i hedh ndaj mazhorancës, por pa lënë pas edhe Prokurorinë e Posaçme.
Ai, kreun e SPAK, Altin Dumani, e lidh me figura të bandave kriminale dhe thotë se nëse dosje të para ardhshme zgjedhore do të ishin hetuar si duhet e dënuar, nuk do të ishte kjo situatë që është sot.
Deri në pikën, ku sipas Berishës, strukturat shtetërore dhe ato të drejtësisë janë përgjegjëse deri në “mungesën e lirisë së votës për qytetarët”, pasi “amnistia penale u hapi rrugë bandave dhe i mbrojti këto të fundit”.
Albanian Post

