Kosova
Parisi ngre murin/ Europa s’gjen konsensus për masat e ndëshkimit ndaj Kosovës
Çështja e masave ndaj Kosovës ka ekspozuar dallimet, dilemat dhe interesat e ndryshme të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian – debati rreth heqjes apo mbajtjes së këtyre masave ka evidentuar se secili vend e lexon situatën përmes prizmit personal.
BE-ja ka vendosur disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës në vitin 2023 për shkak të rritjes së tensioneve në veriun e territorit të banuar me shumicë serbe. Megjithatë, pavarësisht thirrjeve të autoriteteve kosovare për largimin e tyre, dhe rekomandimeve të ligjvënësve e diplomatëve evropianë, shtetet anëtare akoma nuk janë pajtuar.
E shumica e vendeve anëtare janë shprehur në favor të heqjes së plotë të masave kundër Kosovës, por së fundmi është raportuar se Franca dhe Italia – krahas Spanjës, Hungarisë dhe Sllovakisë – kanë kundërshtuar heqjen e masave ndaj Kosovës.
Parisi ka shprehur dyshime nëse palët kanë qenë “të sinqerta” në hapat për depërshkallëzim pas ngjarjeve në veriun e Kosovës. Roma, në bazë të burimeve diplomatike të shtypit në Prishtinë, ka insituar se duhet përfunduar procesi i zgjedhjeve nacionale në Kosovë përpara se të merret në konsideratë heqja “graduale” e masave.