Kronike
Pastroi paratë e kriminelëve më të mëdhenj në botë, ekstradohet shqiptari
52-vjeçari nga Saranda, Thanas Bako, i cili akuzohet për pastrim parash, është ekstraduar të martën nga Greqia në Holandë. Bëhet me dije se në 11 gusht do të dalë para Gjykatës së Roterdamit. Ndaj Bakos ishte lëshuar një urdhër arresti nga autoritetet holandeze, për pastrim të parave të ardhur nga trafiku i drogës. Bako u arrestua në 31 maj pas një operacioni të policisë greke dhe Europol në lagjen “Glifadha” të Athinës.
“Një pastrues i njohur parash, që pastronte paratë e pista të kriminelëve më të mëdhenj në botë, është arrestuar më 31 maj në Athinë në Greqi”, citohej në deklaratën e Europol. Ndërkohë pas ekstradimit të tij, mediat holandeze shkruajnë: “Ai doli në skenë nga Taskforce Underground Banking (TF-UB) në vitin 2022, pasi një hetim tregoi se organizata e tij kriminale kishte lëvizur rreth 500.000.000 euro.
Nga komunikimi i koduar përmes shërbimit të mesazheve Sky ECC, i dyshuari doli si personi që drejtonte këta korrierë. “Ai ka komunikuar edhe me persona të ndryshëm për tregtinë e drogës. I dyshuari i lindur në Shqipëri rezulton të jetë me banim në Greqi, ku është arrestuar nga policia greke më 31 maj 2023 me kërkesë të Holandës. Ai dyshohet se drejtonte një organizatë kriminale që pastron paratë nga krimi në shkallë të gjerë”, thuhej në hetime.