Rajon
Patriarku serb Porfirije kundër të gjithëve, ‘kryqëzon’ edhe vetë Krishtin në Moskë

Analisti Baton Haxhiu shkruan se Patriarku i Kishës ortodokse serbe, Porfirije, një ditë pasi vizitoi Kosovën dhe kreu shërbesën kishtare të Pashkëve, shkoi në një vend krejt tjetër për një kremte të jashtëzakonshme të Pashkëve në Moskë, me presidentin rus Putin dhe patriarkun e Kishës ortodokse ruse, Kirill.
Porfirije i deklaroi presidentit Putin se “Populli serb e shikon popullin rus si një popull të vetëm. Ai tha se “Ndonjëherë mund të ndodhë që shpresa e serbëve të jetë e madhe, një shpresë që varet më shumë nga Rusia, politika ruse, sesa nga ajo serbe”. Pastaj shtoi: “Ne jemi mirënjohës për mbështetjen dhe qëndrimin tuaj në lidhje me Kosovën dhe Republikën Sërpska, dhe sigurisht me Malin e Zi – aty është populli ynë, kisha jonë”.
Dhe, për ta qartësuar pozicionin politik Porfirije ceku se “Qëndrimi ynë sa i përket Kosovës, Republikës Sërpska dhe Malit të Zi mendoj dhe ndiej se varet edhe nga pozicioni i Federatës Ruse në nivel global” dhe “nëse do të ketë një demarkacion të ri gjeopolitik, të jemi afër në atë mjedis rus”, “në botën ruse”.
Zyrtari i lartë i partisë në pushtet me këto fjalë do të hidhte poshtë qëndrimin zyrtar të presidentit të Serbisë, i cili është zotuar që Serbia eshte në rrugën e integrimit në BE.
Një deklarim i këtillë, nga një person i afërt me presidentin e Serbisë, duhet të jetë brengosës për tërë arkitekturën politike e të sigurisë në Evropë, e në veçanti në Ballkanin Perëndimor. Porfirije është zyrtari më i lartë i deritanishëm i Serbisë që ka ftuar Rusinë e Vlladimir Putinit që të përfshijë pjesë të konsiderueshme të popujve e shteteve të Ballkanit Perëndimor në sferën e vet të interesit. Një thirrje e këtillë mund të jetë e paprecedent edhe në shekullin XX dhe është e krahasueshme vetëm me periudhën e gjysmës së shekullit XIX, kur thirrje të këtilla i bëheshin Rusisë cariste

