Aktualitet
‘Qeshën’/ Biseda me prokurorët, Qyno: Më thanë trego burimin, i kërkova t’më jepni…
Gazetari Elton Qyno ka zbuluar ‘pazarin’ që tentoi të bëjë me prokurorët brenda SPAK. Ai tha ditën e sotme gjatë emisionit ‘Task Force’, se prokurorët kërkonin me këmbëngulje të dinin se cili ishte burimi i tij për mesazhet e shkëmbyera në aplikacionin Sky ECC të Dumanit. Por, Qyno tha se u kërkoi një lajm, në mënyrë që të tregonte burimin. Kjo ‘ofertë’ u prit me të qeshura nga prokurorët.
“Mu kërkua më thuaj burimin, më thuaj burimin. I thashë më jepni një lajm. Më thanë nuk është cështje pazari, qeshën më pas, aty më mbajtën me orë të tëra. Dera ishte e mbyllur. Shkoja të tualet, i shoqëruar, dera është mbajtur e mbyllur, do rrish këtu do rrish këtu.. Me të gjitha gjërat e rregullta, nga kafja e deri tek ushqimi, nuk mund ta mohoj, po nuk mund të silleshin me mua sikur të isha ministër, se nuk kisha firmosur tender. Kisha vetëm një dokument të thatë”
Gazetari i kronikës, Elton Qyno, u mor në pyetje për gati 7 orë ditën e djeshme në Tiranë, ndërsa oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kryen kontroll në banesën dhe në zyrën e tij në televizionin Ora, pas hetimeve të nisura nga Prokuroria e Posaçme për nxjerrje të sekretit hetimor. Gazetari ka treguar se i ishte bërë presion për të treguar burimin. Qyno u mor në pyetje dhe u raportua se iu kërkua të tregonte burimin e informacioneve të cilat i kishte publikuar në media lidhur me Nuredin Dumanin.