Bota
Pentagoni nis tërheqjen graduale nga strukturat e NATO-s
Pentagoni po planifikon të ulë pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara në një sërë strukturash këshillimore të NATO-s, në një tjetër sinjal të qasjes së administratës Trump për të reduktuar praninë ushtarake amerikane në Evropë dhe për të rishikuar angazhimin ndaj Aleancës Atlantike.
Kështu raportoi The Washington Post, duke cituar disa zyrtarë të njohur me planet.
Sipas burimeve, vendimi pritet të ndikojë rreth 200 pjesëtarë të forcave amerikane dhe të reduktojë përfshirjen e SHBA-ve në aktivitetet e afro 30 organizatave të NATO-s, përfshirë edhe Qendrat e Ekselencës (Centres of Excellence), të cilat merren me trajnimin e forcave të Aleancës në fusha të ndryshme të luftës moderne.
Zyrtarët thanë se Pentagoni nuk synon një tërheqje të menjëhershme, por një proces gradual, ku personeli amerikan nuk do të zëvendësohet pasi të përfundojnë misionet apo detyrimet e tyre aktuale.
Ky proces mund të zgjasë me vite, theksuan dy burime amerikane.
Megjithatë, sipas tyre, pjesëmarrja e SHBA-ve në këto struktura nuk do të ndërpritet plotësisht.
Disa nga funksionet amerikane pritet të rishpërndahen brenda vetë Aleancës, çka do të kufizojë ndikimin e drejtpërdrejtë të këtyre shkurtimeve.
Sipas raportimit, reduktimet do të prekin veçanërisht strukturat këshillimore që merren me sigurinë energjetike të NATO-s, operacionet detare, si dhe disa mekanizma të lidhur me operacionet speciale dhe inteligjencën.
Zyrtarë të tjerë kanë sqaruar se këto masa nuk lidhen drejtpërdrejt me tensionet e fundit mes SHBA-ve dhe aleatëve evropianë për çështjen e Groenlandës, por përfaqësojnë një rishikim më të gjerë të angazhimit amerikan në arkitekturën e sigurisë evropiane.