Connect with us

Shkrime

PËR HIPOKRIZINË TONË

Shkenca e zbërthen hipokrizinë si sjellje të njeriut i cili manifeston qëndrime të rrejshme, morale, fetare, emotive ose ideologjike e politike, për të lënë përshtypjen e më të mirit, më të ndershmit, më të drejtit se ç’është në të vërtetë. Me fjalë të tjera, hipokrizia, thotë shkenca, është shpërputhje mes asaj që pohohet ose manifestohet dhe asaj që vërtetë mendohet, ndjehet ose bëhet! Fushata parazgjedhore dhe rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, për kryetarë dhe anëtarë të këshillave komunale, si dhe reagimet që pasuan, po e konfimojnë katërcipërisht përkufizimin e mësipërm!

Shkruan: Seladin Xhezairi

Mesazhet që po përçohen nga të dyja kampet, ai i pozitës maqedono-shqiptare dhe opozitës shqiptare e deri-diku edhe asaj të fragmentuarës maqedonase, përtej retorikës vrastare se këto zgjedhje vendore, të tetat që kur Maqedonia u shkëput nga ish-federata jugosllave, duhet të kenë në epiqendër sfidat dhe problemet lokale të votuesve, në fakt provuan intencën e VMRO-DPMNE-së dhe të kryeministrit Hristijan Mickoski që Maqedoninë t’ua rikthejë  – maqedonasve, të atillë çfarë ishte para luftës së vitit 2001, pra para Marrëveshjes së Ohrit. Ky qëllim u pa, nëse ju kujtohet, që në ditët e para të mazhorancës së re parlamentare maqedono-shqiptare. Ishte Kryeministri ai që triumfalisht paralajmëroi rikthimin e institucioneve, për të shkuar, pastaj, hap pas hapi në zhveshjen e disa ministrive nga kompetenca edhe materialo – financiare e të cilat, çuditërisht sot drejtohen nga VLEN-i. Kur kësaj t’i shtohet edhe degradimi i statusit kushtetueso-juridik të shqiptarëve, i lënë “trashëgim” nga BDI-ja e Ali Ahmetit (heqja e Balancuesit, prekja e përdorimit zyrtar edhe të gjuhës shqipe), del se thirrja, në fillim të mandatit, e kryeministrit maqedonas që të vendoset “moratorium mbi çështjet etnike” është një hipokrizi e kulluar. E, të rikujtojmë, shkenca e zbërthen hipokrizinë si sjellje të njeriut i cili manifeston qëndrime të rrejshme, morale, fetare, emotive ose ideologjike e politike për të lënë përshtypjen e më të mirit, më të ndershmit, më të drejtit se ç’është në të vërtetë. Me fjalë të tjera, hipokrizia, thotë shkenca, është shpërputhje mes asaj që pohohet ose manifestohet dhe asaj që vërtetë mendohet, ndjehet ose bëhet! Fushata parazgjedhore dhe rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, për kryetarë dhe anëtarë të këshillave komunale, si dhe reagimet që pasuan, po e konfimojnë katërcipërisht përkufizimin e mësipërm!

Të merremi vesh: Mesazhi i fundit i kryeministrit maqedonas, Hristijan Mickoski, për shqiptarët në përgjithësi dhe aleatët e tij shqiptarë në qeveri, është më se i qartë: O si them unë, o – keni për të parë!

“Ne kemi plan dhe shumë qëllime strategjike për t’i realizuar, një pjesë e realizuam, disa po realizohen, një pjesë shumë të vogël nuk arritëm ta realizojmë. Ndonjëherë, përderisa i realizonim këto qëllime strategjike, u përgjakëm si VMRO-DPMNE dhe bëmë sakrificë. Nuk ishte e lehtë, e kisha shumë rëndë kur shoh bashkëpartiakët tanë në Tetovë, Gostivar, Strugë, Çair, Dibër dhe për këtë paguam çmim dhe për këtë ka viktimë. Dhe, ne nuk kërkojmë asgjë, nuk kërkojmë asgjë në këmbim sepse kemi një qëllim, kërkojmë respekt për sakrificën që dhamë për tjetrin, nuk e morëm dhe këtë nuk do ta harrojmë këtë,”- deklaroi Mickoski këtë javë në një tubim partiak për raundin e dytë të zgjedhjeve, duke shigjetuar ashiqare partnerët shqiptarë në ekzekutiv.

Më anë tjetër, përtej asaj se politika është interes, është hipokrizi e llojit të vet, edhe “leximi” që i bëhet nga analistë e vëzhgues, kryesisht të jashtëm, të cilët epilogun e raundit të parë e marrin kryesisht nga titujt e kumtesave të partive në pushtet, duke i mëshuar me kamxhik “fitores”, përkatësisht “humbjes” historike  të njërës apo palës tjetër respektive!

PS

Ditë më parë për një këndvështrim timin, po në këtë temë, mora një breshëri akuzash e rekomandimesh “miqësore” për të hequr dorë nga – autorësia! Sot mësoj se një që më shënjestroi “miqësisht” – po përgatiteshka  për post n’diplomaci! Për hair!

Advertisement