Connect with us

Aktualitet

Përfundon sot mandatin 3-vjeçar si kreu i SPAK/ Dumani i liron karrigen Klodian Brahos, betimi në KLP të hënën

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, do të përfundojë zyrtarisht mandatin e tij këtë të enjte, më 18 dhjetor. Pas mbylljes së periudhës trevjeçare në krye të institucionit, Dumani do t’i kalojë detyrën pasardhësit të tij, Klodjan Braho.

Klodjan Braho u zgjodh javën e kaluar në krye të SPAK nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, me 7 vota pro, dhe pritet të marrë drejtimin e institucionit ditën e nesërme.

KUSH është Altin Dumani?

Altin Dumani është një nga figurat më të spikatura të sistemit të drejtësisë shqiptare në më shumë se dy dekadat e fundit, i lidhur ngushtë me hetimet më të ndjeshme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivelet më të larta të pushtetit.

I lindur në Shupenzë të Dibrës, Dumani e nisi karrierën në drejtësi në mars të vitit 1999, kur u emërua prokuror në Prokurorinë e Sarandës. Vetëm një vit më vonë, në vitin 2000, ai mori drejtimin e Prokurorisë së Tropojës, një detyrë që në atë kohë konsiderohej ndër më të vështirat për shkak të situatës së rëndë të rendit dhe sigurisë.

Emri i tij u bë më i njohur për publikun e gjerë gjatë procesit gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit të 15 marsit 2008. Në këtë çështje, Dumani u dallua për qëndrimin e tij të ashpër dhe kërkesat penale të paprecedenta, duke kërkuar tre dënime me burgim të përjetshëm për të pandehurit kryesorë, një linjë që e pozicionoi atë si një prokuror të palëkundur ndaj krimeve me pasoja të rënda shoqërore.

Në vitet që pasuan, Dumani u përfshi në strukturat speciale hetimore, duke qenë ndër prokurorët e parë që drejtuan Task-Forcën e ngritur për luftën kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit të ashtuquajtur “të jakave të bardha”. Më pas, ai vijoi karrierën në Prokurorinë e Apelit për Krimet e Rënda, ku mbajti edhe detyrën e drejtuesit të komanduar.

Me krijimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Dumani la pozicionin në Apel për t’iu bashkuar strukturës së re, e konceptuar si boshti kryesor i reformës në drejtësi. Brenda SPAK, ai mbajti edhe funksionin e zëvendësdrejtuesit, duke zëvendësuar Arben Krajën gjatë mungesave të tij.

Gjatë kësaj periudhe, Dumani udhëhoqi dhe bashkëudhëhoqi disa prej operacioneve më të bujshme në vend. Në vitin 2021, ai drejtoi aksionin që çoi në arrestimin e 13 personave, mes të cilëve edhe një gjyqtare në detyrë, e dyshuar për lirimin e personave me precedentë të rrezikshëm penalë. Paralelisht, ai ishte një nga prokurorët kryesorë të dosjes “Golden Bullet” “Plumbi i Artë”, një prej hetimeve më voluminoze kundër krimit të organizuar, e ndërtuar mbi dëshmitë e të penduarve të drejtësisë.

Në dhjetor të vitit 2022, Altin Dumani u zgjodh drejtues i SPAK, pas një procesi votimi ku mori 5 vota, duke lënë pas kandidatët Edvin Kondili dhe Adnan Xholi. Me marrjen e detyrës, ai u përball me pritshmëri të larta, por edhe me skepticizëm nga një pjesë e opinionit publik dhe politik.

Gjatë mandatit të tij trevjeçar në krye të SPAK, Dumani u etiketua shpesh si “prokurori i hekurt”, një epitet që lidhej me qasjen e tij të prerë dhe refuzimin për t’u përfshirë në polemika politike. Edhe pse u sulmua vazhdimisht nga aktorë të ndryshëm politikë, ai zgjodhi të mos reagojë publikisht, duke këmbëngulur se “mbi ligjin nuk është askush”.

Nën drejtimin e tij, SPAK zhvilloi hetime ndaj figurave të rëndësishme politike nga të dy krahët, përfshirë ish-presidentin Ilir Meta, ish-kryeministrin Sali Berisha, kryebashkiakun Erion Veliaj dhe dhjetëra zyrtarë të tjerë të nivelit të lartë. Gjatë kësaj periudhe, sipas të dhënave zyrtare, u sekuestruan rreth 37 milionë euro pasuri dhe u goditën disa grupe kriminale me shtrirje ndërkombëtare.

Sot, Altin Dumani përfundon zyrtarisht mandatin e tij në krye të SPAK, duke ia dorëzuar detyrën pasardhësit Klodjan Braho, i zgjedhur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Megjithatë, Dumani do të vijojë punën brenda Strukturës së Posaçme si prokuror, duke mbetur i përfshirë në hetime të tjera të rëndësishme.

Advertisement