Kosova
Përgjimet/ Pasi e quajti vëlla dhe mik, Mimoza dredhon dhe akuzon për copy-paste
Si jo-autentike e ka cilësuar shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila audio-incizimin e fundit që është publikuar nga mediumi “Paparaci” ku ajo dëgjohet duke biseduar me kryeterroristin, Milan Radojiçiç derisa komunikimi ishte realizuar gjatë vitit 2022 me ndërmjetësimin e zyrtarit të Listës Serbe, Sllavko Simiç.
“Nuk ka pasur një komunikim të tillë, përveç me Slavko Simiç-in. Po me të kam komunikuar në telefon, nuk kam komunikuar me Radojiçiç-in përmes telefonit të tij”, ka thënë Lila në një intervistë.
Ajo ka potencuar gjithashtu se ka filluar një procedurë përmes Prokurorisë së Shtetit dhe se ka bërë vlerësimet e para përmes programeve profesionale për të zbuluar “origjinalitetin” e bisedës në telefon me Radojiçiç-in edhe me fakte.
Kusari-Lila ka thënë se ka kërkuar nga prokuroria një superekspertizë të audio-incizimeve.
Ajo ndër të tjera ka thënë se audiot e publikuara në media janë të falsifikuara dhe se nga analiza me programe që u janë bërë atyre, kanë dalë se janë “copy-paste” të zërit të saj dhe jo bisedë e zhvilluar ashtu siç është publikuar.
“Ato janë copëza të ndara të bisedës me Simiç-in, ndërsa ndërlidhja dhe pjesa tjetër e shtuar me Radojiçiç-in janë pjesë të vendosura, që e bëjnë dallimin mes ambientit, zërit, në veçanti konfirmimet e mia që kanë dalë se janë copy-paste të vetë zërit tim”- ka shtuar shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje