Bota
Përhapet nga mushkonjat, një virus që vjen nga disa ishuj në Oqeanin Indian kërcënon edhe Evropën

Një epidemi e madhe e virusit chikungunya, i cili transmetohet nga mushkonjat dhe mund të shkaktojë simptoma të rënda dhe madje edhe encefalit fatal në raste të rralla, po përhapet në të gjithë Azinë, Afrikën dhe Evropën.
Franca ka regjistruar tashmë raste të importuara dhe vendase, ndërsa një rast u konfirmua së fundmi në Itali. Përhapja e virusit që filloi në fillim të këtij viti në tre ishuj në Oqeanin Indian kërcënon të arrijë përmasat e epidemisë së madhe të chikungunya që përfshiu botën në vitet 2004-2005 me pothuajse gjysmë milioni raste.
Si transmetohet?
Virusi chikungunya transmetohet nga mushkonjat e gjinisë Aedes, kryesisht “mushkonja tigër” Aedes albopictus dhe i afërmi i tij Aedes aegypti, i cili është përhapur në Qipro, por nuk është zbuluar në pjesën tjetër të Evropës deri më sot.
Simptomat dhe trajtimi
Virusi shkakton temperaturë të lartë, skuqje dhe dhimbje të kyçeve që mund të zgjasin me vite, dhe në disa raste shfaqen simptoma neurologjike si encefaliti ose sindroma Guillain-Barré. Nuk ka trajtim specifik. Masat kryesore parandaluese përfshijnë shmangien e mushkonjave me repelentë insektesh, veshje të gjata, dritare me rrjetë dhe largimin e ujit të ndenjur.
Dy vaksina kundër virusit chikungunya janë miratuar në disa vende, por deri më tani OBSH-ja nuk ka rekomanduar përdorimin e tyre të gjerë për shkak të mungesës së të dhënave mbi efikasitetin.

