Bota
Përplasje e ashpër Meloni – Macron në samitin e G7
Dita e parë e samitit të G7 që po mbahet në Puglia të Italisë është mbyllur me një përplasje të ashpër mes kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe presidentit francez Emmanuel Macron. Mes të dyve dihet që nuk ka pasur asnjëherë marrëdhënie të mira dhe ky ishte rasti për të përplasur edhe një herë brirët.
Presidenti francez shigjetoi kryeministren italiane duke u shprehur se “është për të ardhur keq që fjala abort mungon në deklaratën përfundimtare të G7. Janë ndjeshmëri të ndryshme, por unë respektoj zgjedhjen e popullit italian…” Një batutë ndaj Melonit e bëri edhe kur u pyet për kampionatin europian. “Pjeprat (meloni italisht) janë më të fortë, por bilanci mbetet po ai”.
Kjo ka ngjallur reagimin e kryeministres italiane që akuzoi Macron se po bën fushatë elektorale brenda G7: “Nuk ka asnjë arsye për të debatuar për çështje për të cilat kemi rënë dakord prej kohësh. Unë besoj se është thellësisht e gabuar, në kohë të vështira si këto, të bësh fushatë duke përdorur një forum të çmuar si G7” – tha Meloni.