Aktualitet
‘Pi raki se të kalon’/ Si 60-vjeçari humbi jetën brenda kamionit të punës
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak ditë më parë në kompaninë “Sinaj SH.P.K”, në Marinzë të Fierit.
60-vjeçari Arif Karemani ka humbur jetën në vendin e punës dhe familjarët akuzojnë eprorët për neglizhencë në dhënien e ndihmës së parë.
Sipas tyre, 60-vjeçari mëngjesin e 22 Korrikut ishte nisur për punë si zakonisht pasi punonte prej 23 vitesh aty, por nuk është kthyer më në shtëpi.
Kjo pasi gjatë orarit të punës Karemani nuk është ndjerë mirë dhe kolegët e tij kanë njoftuar drejtorin dhe pronarin e kompanisë. Por ata nuk e kanë marrë seriozisht gjendjen e tij dhe i kanë thënë të pinte pak raki se do t’i kalonte.
Por teksa orët kalonin, familjarët nisën të shqetësoheshin pasi Karemani nuk i kishte telefonuar si zakonisht dhe nuk po iu përgjigjej thirrjeve të tyre. Në këto rrethana, familjarët kanë nisur vetë kërkimet e tyre, të përqendruara në ambientet e punës së 60-vjeçarit dhe lokalet e tjera përreth.
Ata thonë se pas kërkimeve të shumta, shoqëruar edhe nga pronari i firmës, e kanë gjetur Karemanin pa shenja jete në një nga kamionët e shoqërisë “Sinaj SH.P.K”, ndërsa fajësojnë për neglizhencë ambulancën dhe policinë rajonale.
Vajza e Karemanit thotë:
Punonjësit e tjerë i thanë drejtorit se Arifi nuk është mirë, dhe hajde mere se nuk është në gjendje të punojë. E la një çerek ore, pastaj punëtorët e tjerë i thanë ‘ore hajde mere se Arifi vërtetë nuk është mirë’. E morën tek baza, ashtu e quajnë ata, drejtori dhe përgjegjësi i dhanë një gotë raki duke i thënë ‘hajt se do bëhesh më mirë’. Babai ne na merrte gjithnjë në telefon, por atë ditë nuk na mori fare dhe na u duk e çuditshme. Po shkonte ora 5, 6 pasdite e asgjë. U detyruam morën drejtorin në telefon. Drejtori tha se në orën 15:00 e dërgova në bazë, dhe në 15:30 është larguar nga vendi i punës. Kërkuam gjithandej e prapë nuk e gjetëm, e mora drejtorin prapë në telefon dhe ai tha nuk di gjë, por kur shkuam brenda kompanisë në orën 00:30 të natës, aty e gjetëm brenda kamionit të vdekur.