Aktualitet
PISTAT E HETIMEVE/ Bosi i call-centrave dh*non djalin e ish-deputetit, përleshja ekspozon “Fufët e Mamurrasit”

Mbrëmjen e djeshme, në kompleksin superluksoz “Long Hill Residence” pranë Lundrës, Kliton Sulçe, 38-vjeçar, i njohur si pronar i disa call-centrave të dyshuara për skema mashtrimi, hyri në një bar të lagjes dhe goditi me shkop bejsbolli 19-vjeçarin Kristi Fufi, djalin e ish-deputetit demokrat Mhill Fufi.
Sulmi, i filmuar nga kamerat e sigurisë, zgjati pak minuta, por la viktimën me fraktura të shumta në kokë e trup.
Edhe pse ngjarja kualifikohet si “plagosje e rëndë me dashje”, Prokuroria e procedoi Kliton Sulçen në gjendje të lirë, duke ndezur polemika për standardet e drejtësisë kur në lojë janë para të mëdha dhe emra të lidhur politikisht.
Kush është Kliton Sulçe, i njohur si ‘Kinezi’?
Empresar me zyra call-centerash në Tiranë, i paditur disa herë për mashtrim financiar, por i pa trazuar nga autoritetet. Burime policore pohojnë se Sulçe jeton mes luksit dhe mban lidhje me njerëz me peshë në administratë, çka i ka kaluar deri tani çdo skandal pa pasoja penale.
Pista e hetimit
Zyrtarisht, policia nuk ka bërë publik motivin, por grupi hetimor po verifikon edhe variantin e borxheve që lidhen me rrethin familjar të viktimës. Kristi Fufi vjen nga ajo që hetuesit regjistrojnë si “Fufët e Mamurrasit”; familje e skeduar nga partnerët ndërkombëtarë si pjesë e një rrjeti trafiku kokaine në Britani dhe në Europën Perëndimore.
Në dosjet operative përmenden gjithashtu aktivitete të fajdeve dhe pastrim parash në ndërtim në Shqipëri. Hetuesit nuk e përjashtojnë që konflikti me Sulçen të jetë ndezur nga çështje financiare mes njerëzish të afërt me të dyja palët, megjithatë kjo mbetet vetëm një pistë në ekzaminim.
Çfarë pritet?
Ekspertiza mjeko-ligjore mbi plagët e 19-vjeçarit do të përcaktojë nëse dosja do të rëndohet, ndërkohë që autoritetet kanë kërkuar të dhëna mbi pasurinë e dy familjeve. Nëse zbulohet se paratë e call-centrave dhe investimet e dyshuara të klanit “Fufi” kryqëzohen, çështja duhet të kalojë në SPAK.
Për momentin, viktima lufton në spital, agresori është i lirë, dhe policia ka në dorë një video të qartë të sulmit, por ende jo përgjigjen përfundimtare se pse Long Hill u kthye brenda pak minutash në arenë gjakderdhjeje. / Marrë nga “Pamfleti”

