Connect with us

Kronike

Plagosja me armë zjarri në Shkodër, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori! 30-vjeçarit që u qëllua: Nuk kam konflikte me asnjë

Policia vendore e Shkodrës ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar të plagosjes së shtetasit Ndue Preka, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 9 qershorit në lagjen “Mark Lula” në Shkodër.

Efektivët pas hetimeve të zhvilluara pas plagosjes së 30 vjeçarit kanë arritur që të zbulojnë identitetin e autorit të dyshuar i cili vijon në jetë në kërkim policor.

Kështu shtetasi i identifikuar si Klodian Guraleci i cili mban edhe mbiemrin e ndryshuar Krasniqi është personi që dyshohet si autori i plagosjes së 30 vjeçarit Ndue Preka.

Shtetasi Klodian Guraleci është nga fshati Toplanë i njësisë Temal të bashkisë Vau Dejës, ndërsa policia ka arritur që ta identifikohë pas kçyrjes së kamerave të sigurisë dhe informacioneve të marra në rrugë operative.
Dyshohet se mes këtyre dy shtetasve ka patur një konflikt të mëparshëm që ka sjellë këtë ngjarje, ndërsa janë ende të paqarta shkaqet e këtij konflikti mes tyre.

Menjëherë pas plagosjes së 30 vjeçarit Ndue Preka rreth orës 22:30 të 9 qershorit në periferi të Shkodrës, policia mbërriti në vendngjarje dhe nisi hetimet paraprake duke arritur që të zbulojë autorin e dyshuar Klodian Guraleci.

Ndue Preka ndodhej në këmbë në lagjen “Mark Lula” kur papritur dyshohet se autori i dyshuar Guraleci është afruar dhe ka qëlluar ndaj tij disa me armë zjarri pistoletë.

Një prej plumbave e ka ka kapur në këmbë 30 vjeçarin duke i dëmtuar gishtin, ndërsa dy plumba të tjerë goditën një automjet që ishte i parkuar dhe brenda tij nuk ndodhej askush.

Menjëherë i plagosuri u dërgua në spitalin rajonal të Shkodrës ndërsa pas pak orësh doli nga spitali duke qenë jashtë rrezikut për jetën dhe u shoqërua në komisariatin e policisë për të dhënë dëshminë e tij rreth ngjarjes.

Në dëshminë e tij Ndue Preka nuk ka pranuar të tregojë se kush është autori që e qëlloi me armë zjarri duke thënë se nuk ka arritur që ta njoh.

“Nuk e di se kush më qëlloi. Nuk arrita që ta identifikoj sepse ishte errësirë dhe u largua me shpejtësi pasi më plagosi. Unë nuk kam ndonjë konflikt me persona të tjerë ndaj edhe nuk e kam idenë se kush mund të jetë personi që më plagosi.

Nuk kam patur probleme apo kërcënime të mëparshme ndaj edhe nuk e kam idenë përse më qëlluan”, mësohet të ketë thënë 30 vjeçari Ndue Preka pas plagosjes.

Policia e Shkodrës vijon punën për kapjen e autorit të dyshuar Klodian Guraleci si dhe për ta zbardhur të plotë plagosjen e 30 vjeçarit.

Ndue Preka i cili është një person i njohur tashmë në rrjete sociale pasi disa kohë më parë një video emri i tij përmendet nga dy vajza që konfliktohen ku njëra akuzon tjetrën për një marrëdhënie intime me 30 vjeçarin, një video e cila u bë menjëherë virale në internet.

Advertisement