Kronike
Plani franko-gjerman

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, konfirmoi se Prishtina dhe Beogradi kanë marrë tekstin e përditësuar të të ashtuquajturit plan franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve.
“Versioni i fundit i tekstit është dërguar dje në Beograd dhe sot në Kosovë. Tani të dyja këto vende duhet të angazhohen në një diskutim serioz, sepse ky është një moment, ku ka një mundësi të madhe”,- tha Borrell
Plani i BE-së, i cili mbështetet nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara, është pjesë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ndonëse ka kohë që përflitet, për përmbajtjen e tij nuk ka informacione zyrtare. Zyrtarë në Kosovë e kanë cilësuar planin e ashtuquajtur franko-gjerman si “bazë të mirë” për diskutime të mëtejme me Serbinë, ndërsa në Serbi kanë thënë se plani nuk është në favor të saj.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar më herët se plani parasheh që Serbia të mos e pengojë Kosovën nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të përshpejtimit të anëtarësimit të saj në BE.

