Connect with us

Kronike

“Po na vrasin, duhet reagim!”/ Shkodranët në këmbë kundër krimit politik

Opozita ka organizuar një marshim-protestë në Shkodër për masakrën me 3 viktima në Dobraç, ku u ekzekutan me breshëri plumbash 23-vjeçari Hamza Lici, 32-vjeçari Arlind Bushati dhe një qytetare e pafajshme, Flutura Basha, bashkëshorti i së cilës vijon të jetë në gjendje të rëndë në spital.

Qytetarët shkodranë kanë marshuar në heshtje nga Bashkia e Shkodrës në pedonale dhe më pas nëpër rrugët e qytetit.

“Qytetërimi është më i fortë se krimi, po na vrasin, duhet reagim”, shkruhet në pankartën që mbajnë në duar protestuesit.

marshim shkoder proteste masaker viktima opozita PD

Shkodranët kanë sfiduar edhe kryebashkiakun e zgjedhur nga bandat, Benet Becin.

“Kryebashkiak i krimit” lexohet në disa prej parullave që qytetarët vendosën në Bashkinë Shkodër.

Një shkodran shprehet se dikur Shkodra ka qenë djepi i kulturës dhe qyteti i biçikletave, ndërsa tani kanë frikë të dalin edhe me makina të blinduara.

“Të rinjtë nga Shkodra nuk ikin për një jetë më të mirë, sikundër thuhet, nuk ikin për të qëndruar në rradhë për të marrë ushqimin me gavetë, ikin se këtu nuk ka siguri, nuk ka shpresë”, thekson ai.

Ndërkohë opozita deklaron se grupet kriminale në Shkodër janë fuqizuar falë mbështetjes së policisë dhe qeverisë Rama.

  • Bardhi: Krimi i organizuar ka marrë pushtet falë lidhjeve të forta me politikën

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi deklaroi se krimi i organizuar ka marrë pushtet për shkak të lidhjeve të forta me politikën, ndërsa tha se ngjarja e rëndë ishte e paralajmëruar nga kallëzimi i njërit prej viktimave.

“Jemi këtu si qytetarë për të shprehur mosdakordësinë tonë për pushtetin që krimi i organizuar ka marrë në Shkodër me shumicë dhe kudo në të gjithë Shqipërinë. Ishte ngjarje e paralajmëruar, ishte ngjarje e rëndë, krijon frikë dhe terror për qytetarët, pa shfrytëzuar fatkeqësinë familjare të secilës prej viktimave. U shpreh ngushëllimet. Pushteti që krimi i organizuar ka marrë në Shkodër për shkak të lidhjeve të forta me politikën dhe qeverisjen, është një fenomen që duhet të kundërshtohet. Një nga viktimat kishte denoncuar një atentat të dështuar në qendër të Shkodrës dhe policia s’ka marrë masë, nëse do të kishte bërë policia detyrën ngjarja do të ishte parandaluar”, tha Gazment Bardhi.

  • Bardh Spahia: Masakra të tilla nuk ndodhin pa përfshirjen e shtetit

Bardh Spahia, ish-kryebashkiak i Shkodrës, tha se ngjarja ka shkaktuar një traumë për të gjithë qytetin, një shok për të gjithë opinionin publik. Ai tha se ngjarje kriminale të përmasave si ajo me 3 të vrarë nuk bëhet pa përfshirjen e strukturave të shtetit.

“Është e trishtueshme që opinioni publik shkodran jo vetëm gjendet nën thundrën e krimit të organizuar, por gjenden edhe pa mbështetjen e strukturave të shtetit, që na dalin të lidhura me krimin. Masakra të tilla nuk mund të ndodhin pa përfshirjen e strukturave shtetërore. Ka pasur një ngjarje të nderë, që ka ndikuar në situatën e qytetarëve”, tha Spahia.

  • Noka: Shkodra është djepi i krimit të organizuar, shkaktari i vetëm është Edi Rama

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, tha se protesta e sotme është kundër krimit me fytyrë shtetërore.

Noka thekson se Shkodra sot është djepi i krimit të organizuar dhe shkaktari i vetëm është Edi Rama dhe rilindja. Ai deklaron më tej se policia është njësh me krimin, sikundër i gjithë regjimi është nën kthetrat e krimit.

Shkodra sot është djepi i krimit të organizuar dhe shkaktari i vetëm është Edi Rama dhe rilindja. Prandaj jemi këtu për të sensibilizuar qytetarët e Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë kundër këtij krimi.

Nuk mundet Shqipëria, që ka hapur kapitujt e negociatave dhe është anëtare e NATO-s, të jetë vendi i krimit të organizuar, djepi i mafies.

Shqipëria duhet të jetë një Shqipëri tjetër, një Shqipëri normale. Prandaj jemi këtu, për t’i thënë stop.

Plani është marshim, protestë marshim kundër krimit politik, kundër krimit me fytyrë shtetërore.

Policia nuk ka kohë të merret me ligjin, ka dalë nga binarët e ligjit pasi është një narkopolici.

Në momentin që policia ka në fokus luftën kundër opozitës, kjo është domethënëse.

Policia është njësh me krimin, sikundër i gjithë regjimi është nën kthetrat e krimit.

Mesazhi është për qytetarët të ngrihen kundër narkoregjimit, kundër krimit me pushtet, kundër këtij regjimi që po përpiqet të rrënojë Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë. Shqiptarët nuk mund të pranojnë një krim që është nën kthetrat e krimit,” tha Noka.

  • Mbyllet marshim-protesta, Luçiano Boçi: Ulërima e heshtjes më shurdhuese se ajo e zërit

Luçiano Boçi, pas përfundimit të marshimit, tha se ulërima e heshtjes është më shurdhuese se ajo e zërit. Boçi u shpreh se është e domosdoshme qeveria teknike teksa theksoi qytetarët s’do të lejojnë që sundohet me anë të krimit.

Shkodra reagoi fuqishëm. Ulërima e heshtjes është më shurdhuese se ulërima e zërit, sepse vjen nga zemra e Shkodrës. Qytetarët nuk duan që qyteti i tyre të jetë qyteti i bandave dhe krimit.

Shkodra nuk kërkon të imponohet nga Rama në përzgjedhjen e saj politike dhe as nga bandat e krimit të organizuar, as nga banda e policisë dhe administratës.

Domosdoshmëria për qeveri teknike është reale e faktike, sot Shkodra e qytetarët e Shqipërisë e kërkojnë, nuk mundet që Rama të përsërisë pushtetin e tij me krim. Bashkinë e mori me anë të krimit, por qytetarët s’do e lejojnë të sundojë sërish me anë të krimit.

Kërkojmë qeveri teknike, liri të liderit të opozitës, kthimin e Shqipërisë qytetarëve dhe jo bandave e krimit.

Beteja e tyre është beteja jonë, s’do lejojmë askënd të prekë ëndrrat e qytetarëve.

I falenderojmë qytetarët që na u bashkuan. Opozita ka bërë denoncime dhe ka dalë përballë krimit. SPAK ka hartën e krimit në tavolinë.

Tolerancë zero ndaj krimit dhe zhdukej e bandave të Ramës kudo në Shqipëri”, tha Boçi.

  • Masakra në Dobraç

Ngjarja ndodhi rreth orës 15:50, në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, ku persona ende të paidentifikuar qëlluan me breshëri plumbash drejt mjetit ku udhëtonin dy viktimat 23-vjeçari Lici (shofer) dhe 32-vjeçari Arlind Bushati (pasagjer).

Pasi mjeti ku udhëtonin dy të rinjtë u qëllua me breshëri plumbash nga atentatorët, devijoi nga rruga dhe u përplas me motorin ku udhëtonin çifti Basha.

Nga përplasja gruaja, Flutura Basha gjeti vdekjen në vendin e ngjarjes, ndërsa bashkëshorti i saj, Bashkim Basha ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.

Burime mediatike bëjnë me dije se policia ka shpallur në kërkim Izmir Sakica dhe Samuel Troshani, të dy të njohur si anëtar të grupit të Bajrave, familje me të cilin Licët prej vitesh kishin përplasje të ashpra duke prodhuar disa viktima.

Sakica dhe Troshani janë po ashtu në kërkim për një tjetër ngjarje të ndodhur më herët më 23 gusht në Bushat të Shkodrës, ku dyshohet se ka pasur shkëmbim zjarri mes tyre dhe 2 vëllezërve Andrea e Sandër Prendi.

Deri më tani ende nuk është faktuar se personi i tretë i dyshuar në mjetin e viktimave të ketë qënë Ibrahim Lici. Edhe pse qarkullon një foto, që në dukje ka ngjashmëri të madhe me të shumëkërkuarin, blutë ende nuk e kanë konfirmuar se bëhet fjalë për Ibrahim Licin.

Pritet përgjigja e njollave të gjakut dhe të shenjave të gishtave për të parë nëse është ai apo jo.

Prapaskena | Prapaskena

Advertisement