Connect with us

Rajon

“Po ndjekim me vëmendje situatën në Bosnje”/ Ambasadori amerikan në NATO zbardh mesazhin e SHBA

Në një nga panelet e Forumit Strategjik të Bledit, ambasadori amerikan në NATO, Matthew G. Whitaker, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ndjekin nga afër situatën në Serbi dhe në entitetin Republika Sërpska të Bosnje e Hercegovinës, me synimin që të mos lejohet asnjë zhvillim që mund të çojë në konflikt rajonal.

“Po ndjekim me shumë kujdes gjithçka që po ndodh si në Republikën Sërpska, ashtu edhe në Serbi. Aktualisht, jemi të përqendruar që situata të mos shndërrohet në një konflikt të mundshëm rajonal”, tha Whitaker.

Ai theksoi se SHBA-ja “do stabilitet në Ballkanin Perëndimor” dhe kjo, siç tha, është e rëndësishme edhe për partnerët evropianë brenda NATO-s, të cilët “e kanë detyrim të veprojnë së bashku në situata krize”.

Serbia ka qenë prej muajsh e përfshirë nga protestat antiqeveritare, të cilat shpesh janë shndërruar në episode dhune, ndërsa presidenti Aleksandar Vuçiq, pa asnjë provë, akuzon agjitatorë të huaj për përpjekje për të nxitur revolucion.

 

 

Në Republikën Sërpska, Millorad Dodik sfidon vendimin e Gjykatës së Bosnje e Hercegovinës për t’ia hequr mandatin presidencial pas një dënimi dhe vazhdimisht kërcënon me ndarjen e këtij entiteti nga pjesa tjetër e Bosnjës.

I pyetur nëse NATO-ja do të ndërhynte, nëse kriza politike do të përshkallëzohej në një konflikt të armatosur, sidomos në Bosnje dhe Hercegovinë, por edhe në Serbi, Whitaker tha se NATO-ja vepron me unanimitet, por shtoi se “jemi shumë larg diçkaje të tillë”.

“Nëse NATO-ja do të përfshihet… Rregulli numër 1 në politikë është të mos u përgjigjesh hipotezave. Mendoj se duhet të shohim se si do të zhvillohen gjërat”, tha Whitaker.

“Ne do të vazhdojmë t’i inkurajojmë të gjitha palët që të punojnë në përputhje me marrëveshjet e Dejtonit”, tha ai, duke iu referuar marrëveshjeve që i dhanë fund luftës në Bosnje në vitet ’90.

Advertisement