Connect with us

Shkrime

Po të flisnin muret do rrëzoheshin universitetet

Nga Denis Dyrnjaja

Muret janë sytë dhe veshët e mijëra studentëve që kanë përjetuar padrejtësinë e qindra mijëra të tjerëve, të cilët me shkak por pa hak, kanë marrë vlerësime fiktive, nga diploma deri në mastera në shkollat tona të larta. Mendoni sesi ndjehet ajo pjesë e trupës universitare (studentë/pedagogë) që dijen e kanë jetike, notën të shenjtë e meritën gati profetike. Një lajm që qarkulloi për një akt korruptiv të rektores së universitetit të Shkodrës, më dha shtysë të mendoj e bëhem sot shkronja e zëri i heshtur që bërtet, i dhjetëra brezave që kanë nxjerrë sytë duke studiuar, por dikush tjetër nga ta, dikush që nuk ka hapur libër dhe gjë s’ka shkruar, është vlerësuar e më pas promovuar.

Rektorja u shpall fillimisht person në kërkim për korrupsion, por më pas prokuroria u tërhoq nga shpallja në kërkim e saj. Ndoshta mund të ketë qenë një gabim dhe ashtu do doja të ishte, një gabim dhe lajm i pavërtetë implikimi i rektores. Por a e zhbën kjo fenomenin e korrupsionit masiv të notës universitare?! Sigurisht që jo. Nuk është nevoja të provohet fajësia e rektores së Shkodrës për të pohuar me bindje se notat në universitete herë merren në këmbim të parave e herë në kushtëzim të favoreve seksuale. Mos më kërkoni prova për të cilat dëshmitarë janë të gjitha palët, ata studentë që kanë korruptuar, ata pedagogë e drejtues dekanatesh e rektoratesh që janë korruptuar, por edhe pjesa tjetër e ndershme që e sheh këtë fëlliqësi e padrejtësi e nuk ka fuqi për ta ndryshuar.

Nëse doni prova ato mund t’i gjeni vetëm në muret e universiteteve e fakulteteve, në muret e katedrave e auditorëve. Nëse ato mure do të kishin gojë do të mund të krijonin një tronditje me dëshminë e tyre, sa mund të rrëzonin godinat e universiteteve për turpësitë e padrejtësitë që u janë bërë studentëve e pedagogëve të ndershëm. Ne themi politika e korruptuar, drejtësia e korruptuar apo shëndetësia e korruptuar. Por askush nuk flet për mafien e notave, mafien e manipulimit të diplomave e certifikatave vlerësuese të dijes, mafies së doktoraturave e masterave. Nëse muret e universiteteve do flisnin si dëshmitarë, do të kuptonim se kemi të bëjmë me një sistem arsimor të kontaminuar thellë nga “korrupsioni i kollarisur”.

Autonomia në universitete i ka shndërruar shkollat e larta në një mundësi të artë pasurimi për një pjesë të trupës pedagogjike. Madje tregu informal i notave ka edhe kuota, që nga çmimi për një notë kaluese, deri te çmimi për një doktoraturë apo një master, përfshirë edhe plagjiaturën brenda. Dhe si mund të pretendojmë të kemi zgjedhje të ndershme në politikë, kur shesim e blejmë të ardhmen tonë që në bankat e shkollës. Kur gënjejmë veten, madje kur pështymë sot lart, që të na rënë nesër në surrat, kjo gënjeshtër e madhe e të paditurve të diplomuar dhe e pedagogëve tregtarë që ia kanë shitur bashkë me diplomat e notat, shpirtin makutërisë dikush për të përfituar e dikush për t’u pasuruar, duke kompromentuar rëndë e ndoshta pa mundësi rikuperimi të ardhmen tonë, të ardhmen e kombit e të shtetit. Ngjajnë edhe si patetike këto fjalë.

Por përfytyroni një çast ata studentë që kanë paguar për t’u diplomuar si mjekë dhe infermierë në spitalet tona, ata që kanë paguar për t’u pajisur me diploma që t’i nesër t’i takojmë si mësuesit e fëmijëve apo mbesave e nipave tanë. Pra ata kanë deformuar në themel të ardhmen, kanë vënë në rrezik ekzistencën dhe themelet e shoqërisë, duke u pasuruar në mënyrë të verbër dhe të marrë, në kurriz të mjeranëve që duan një notë sot e do marrin në të njëjtën mënyrë edhe një vend pune mot. Nëse doni që politika të jetë më e mirë, drejtësia të marrë kuptim dhe shoqëria vërtetësi, atëherë rruga e vetme është të ndalet maskarada e shitblerjes së padijes. Edhe ju studentë e pedagogë që e shihni e pranoni këtë marrëzi e paturpësi që ndodh para apo pas shpinës suaj, mes studentëve apo kolegëve tuaj, keni përgjegjësi morale për këtë maskaradë që vijon të zgjerohet e trashëgohet nga njëri brez në tjetrin. Jemi duke hapur varrin e së ardhmes tonë. Nuk nevojitet lopata për këtë lloj varri. Është varr që nuk hapet dot me një, dy, dhjetë, apo qindra e mijëra lopata qofshin.

Ky varr hapet vetëm me zarfe korrupsioni dhe është i pamundur të mbulohet, sepse e ardhmja e rrënuar dhe deformuar e një kombi përmes zarfit, nuk mbulohet e fshihet sikur të përdorësh edhe gjithë dheun e botës. Përsa kohë muret e shtëpive të dijes nuk kanë gojë, ju që ia keni falur shpirtin makutërisë vazhdoni e mufatuni në pasurim dhe futeni thellë e më thellë këtë shoqëri në injorancë e mjerim. Një ditë ndoshta zoti do t’iu përballë me ferrin ku po pasuroheni e ku padyshim në një mënyrë a në një tjetër dhe vetë do të përfundoni.

Dialektika ka provuar se atë që gatuan një ditë do ta hash dhe vetë ti, por edhe njerëzit e tu gjithashtu!

Advertisement