Politike
Polici i Portokallisë dhe qeverisë/ Florjan Binaj, djali king i Ramës, njeriu i opozitës për Tiranën
Dikur e ka imituar Kryeministrin Edi Rama, e ka mbështetur publikisht, por së fundmi ka shpallur kandidaturën për një nga detyrat që ka mbajtur edhe vetë Rama në fillimet e tij: vetshpallet kandidat i pavarur në zgjedhjet e pjesshme për Tiranën. Dhe këtë të hënë ka siguruar edhe mbështetjen nga opozita, si kandidatura e pavarur për Bashkinë Tiranë.
Sfida nuk nisi sot. Kandidatura e tij vjen si një vazhdimësi e protestave, të cilat i ka udhëhequr e mbështetur që prej vitit 2021. Protesta këto, kundër qeverisë Rama.
Por protestat nuk kanë qenë vetëm në rrugë, ato duket se i ka mbajtur edhe mediatikisht, pas ‘thyerjes’ së marrëdhënies me Ramën, duke nisur punën si moderator në emisionin investigativ “Piranjat” transmetuar fillimisht në ABC News, e pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës atje, transferuar te Syri TV.
Në fillimet e Ramës si Kryeministër, Binaj ka qenë i ftuari special teksa imitonte Ramën në 21-vjetorin e Forumi Rinor Eurosocialist Shqiptar (FREsSH), janar 2023. Dymbëdhjetë vite më vonë, Binaj i del përballë jo si imituesi i tij, por si kandidati kundërshtar i ofertës së Ramës, Ogerta Manastirliut.
Binaj ka lindur në Tirane në 11 tetor 1985. Para moderimit, ai njihet gjerësisht për rolet e tij si komedian në show-n e mbrëmjes “Portokalli” në Top Channel.
Prej vitesh, ai ka qenë një nga personazhet më të njohura të emisionit të humorit, duke u identifikuar gjerësisht si “Polici i Portokallisë”.
Në një deklaratës pas largimit nga “Portokalli”, ai tha se nuk ishte për shkak të politikës, por për të mundësuar hapësirë për çështje më të gjera.
Vitet e fundit, ka patur një kthesë në zërin e tij si figurë publike. Ai është përfshirë edhe në aktivitete publike dhe politike, duke bërë deklarime kritike ndaj qeverive dhe është përfshirë në lëvizjen “Shqipëria Bëhet”.
Lëvizje nga e cila, u shkëput, por tani nga kreu i saj Adriatik Lapaj ka marrë mbështetjen. Ashtu sikurse e ka marrë edhe nga kryedemokrati Sali Berisha – si kandidatura që merr mbështetjen e opozitës në këto zgjedhje.
“Është djalë king”/ Si e uronte Rama Florian Binajn për ditëlindje 5 vite më parë
Gjatë një konference për mediat të hënën, kreu i PD e vlerësoi figurën e Binajt, por duket se këtë mendim e ndante edhe Rama, i cili në një postim në Facebook 5 vite më parë, e uronte për ditëlindje aktorin.
“Florjan Binaj është një djalë king, me botë të bukur, i talentuar dhe i edukuar, që mes plot talenteve të ekranit të vogël ka spikatur me sozinë time në shfaqjen më popullore e më kreative televizive sipas meje, Portokallia e rekordeve të frikshme të audiencës televizive! Duke i uruar sozisë time gazmore ditëlindjen dhe shëndetin, forcën krijuese e çdo mirësi e mbarësi për veten e për të dashurit e vet, uroj njëkohësisht që energjitë pozitive të Florit e të kolegëve të tij të talentuar të çdo ekrani, ta ushqejnë sa më mirë publikun në këtë kohë posaçërisht sfiduese për të gjithë”, thoshte Rama.