Bota
Presidenti iranian Raisi dhe ministri i Jashtëm humbin jetën pas rrëzimit të helikopterit
Presidenti iranian Ebrahim Raisi ka humbur jetën bashkë me ministrin e jashtëm, Hossein Amir-Abdollahian pas rrëzimit të helikopterit. Lajmi është konfirmuar nga Irani zyrtar, përmes një postimi në platformën X të zv.presidentit iranian.
Raisi po shkonte për në qytetin e Tabrizit, në veriperëndim të Iranit, pasi u kthye nga një zonë kufitare Iran-Azerbajxhan, ku u takua me Presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev për të përuruar një digë në kufirin midis dy vendeve. Në qytetin e Tabrizit Raisi do të përuronte një rafineri, por helikopteri është rrëzuar dyshohet për shkak të kushteve të këqija të motit. Aksidenti ndodhi rreth orës 13:30 të 19 majit.
Sipas mediave, nuk ka asnjë të mbijetuar nga personat që ishin në bord. Përpos Presidentit dhe ministrit të Jashtëm, ka ndërruar jetë edhe guvernatori i Azerbajxhanit Lindor, Melek Rahmati, imam i Tabrizit Mohammad Ali Al Hashem, piloti, një bashkë-pilot, kreu i ekipit të mbrojtjes dhe një nga rojet.