Lifestyle
Prindër, mos rrisni fëmijë perfektë
Herët a vonë u ndodh të gjitha nënave: jeni duke shëtitur me fëmijën në park, apo në një qendër tregtare dhe takoni një shoqe të vjetër, një komshie që ka dalë edhe ajo bashkë me fëmijën e saj dhe ja, si për forcë zakoni, filloni një bisedë me vetitë më të mira të fëmijëve të secilës prej jush
Fëmijët nuk janë ata të kopertinave të revistave apo ata që shohim çdo ditë në reklama, gjithmonë të qeshur, të veshur bukur, të urtë e të sjellshëm. Përkundrazi!
Nuk duhet të na habisë fakti që në dhjetëvjeçarët e fundit shumë prindër kanë marrë një model edukativ, ku duan që fëmijët e tyre të jenë të përgatitur për jetën. Duan që fëmijët e tyre të kenë të gjitha njohuritë e nevojshme për t’u bërë profesionistë të mirë, të kenë një punë të mirë e të fitojnë mjaftueshëm, asgjë më shumë se kaq.
Këta prindër kanë vetëm një objektiv: duan që fëmijët e tyre të jenë të përsosur.
Për të arritur këtë objektiv nuk hezitojnë t’i regjistrojnë në aktivitete jashtëshkollore, t’ia ngarkojnë rrugën e të mësuarit përtej çdo limiti dhe, natyrisht, t’i shtyjnë drejt suksesit me çdo kusht. Dhe gjëja më e keqe është se besojnë se e bëjnë “për të mirën” e tyre. Problemi kryesor i këtij modeli edukativ është se ushtrojnë trysni të panevojshme mbi fëmijët, duke u hequr atyre fëmijërinë e duke rritur kështu adultë emotivisht të shkatërruar.
RREZIKU I SHTYTJES SË FËMIJËVE DREJT PERFEKSIONIT
Nën trysni, pjesa më e madhe e fëmijëve bindet dhe arrin rezultatet që prindërit presin, por në këtë mënyrë ata limitojnë mendimin e tyre të pavarur dhe kompetencat që mund t’i çojnë drejt suksesit të vërtetë. Nëse nuk i japim hapësirën dhe lirinë për të gjetur rrugën e tyre dhe i ngarkojmë me pritshmëri, fëmijët nuk mund të marrin vendimet e tyre, të eksperimentojnë dhe të zhvillojnë identitetin e tyre. Të pretendoni që fëmijët të jenë gjithnjë e më të mirë ka shumë rreziqe.
I PRIVON ATA NGA FËMIJËRIA E TYRE
Fëmijëria është një periudhë nxënieje, por edhe lumturie dhe argëtimi. Fëmijët duhet të mësojnë duke u argëtuar, duke bërë gabime, duke humbur kohë, duke i lënë të fluturojnë me imagjinatën dhe duke kaluar kohë me fëmijët e tjerë. Të prisni që fëmijët të jenë më të mirë në një fushë caktuar, ngarkon mbi shpatullat e tyre një përgjithësi të panevojshme. Kjo mënyrë edukative i privon ata nga fëmijëria.
PROVOKON HUMBJEN E MOTIVIMIT DHE TË KËNAQËSISË
Kur prindërit përqendrohen më shumë mbi rezultatet se sa mundin, fëmijët humbasin thelbin e motivimit. Ata do të kuptojnë se ka më shumë rëndësi rezultati se sa rruga që kanë bërë, pasi për prindërit nuk ka rëndësi sa ka mësuar në shkollë, por notat që ka marrë. Në të njëjtën mënyrë, duke u përqendruar te rezultatet, fëmijët humbasin interesin për rrugëtimin e jetës dhe nuk e shijojnë më atë.
MBJELL FARËN E FRIKËS NGA DËSHTIMI
Frika nga dështimi është një nga ndjenjat më kushtëzuese që mund të provojmë në jetë. Kjo ndjenjë është ngushtësisht e lidhur me konceptin që kemi për suksesin. Ndaj, duke i shtyrë fëmijët drejt suksesit që në moshë të njomë, shërben vetëm për të mbjellë tek ata farën e frikës nga dështimi. Për pasojë, është e mundur që këta fëmijë të mos bëhen adultë të pavarur dhe me iniciativë, siç do të donin prindërit e tyre, por njerëz që pranojnë mediokritetin, sepse kanë frikë të dështojnë.
GJENERON HUMBJEN E VETËBESIMIT
Shumë njerëz profesionalisht të suksesshëm, nuk janë të sigurt. Në fakt, shumë top modele, për shembull, kanë rrëfyer se mendojnë që janë të shëmtuara apo të shëndosha, kur në të vërtetë janë ikona bukurie. Kjo gjë ndodh, sepse niveli i përsosmërisë, të cilit i janë nënshtruar gjithmonë, i bën të besojnë se gjithçka që bëjnë në jetë nuk është asnjëherë mjaftueshëm dhe duhet vetëm një gabim i vogël që të tjerët t’i përçmojnë.
Fëmijët që rriten me këtë ide kur rriten bëhen njerëz të pasigurt, me nivel të ulët vetëbesimi dhe mendojnë se nuk janë asnjëherë mjaftueshëm të mirë. Për pasojë, jetojnë duke u varur nga mendimet e të tjerëve.
Fëmijët janë si allçia e njomë, gjithçka që i godet lë gjurmë tek ta – Haim Ginott, psikolog & psikoterapist fëmijësh.