Kosova
“Projekt statuti është hartuar nga miqtë e Kosovës”, ambasadori i SHBA në Kosovë
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha të mërkurën se projekt statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe i paraqitur nga diplomacia perëndimore mund të ketë hapësirë për përmirësime, por nënvizoi që procesi i themelimit të tij duhet të ecë përpara me shpejtësi.
“A ka hapësirë për përmirësime, ka mundësi. Por gjithashtu, nuk mund të bllokohemi në specifika dhe të humbim momentin dhe rëndësinë e hapave përpara në themelimin e Asociacionit”, tha ambasadori amerikan Hovenier.
Ambasadori amerikan i bëri këto komente pas një takimi me një grup studentësh në qytetin e Mitrovicës. Ai shprehu shqetësimin me shkallën e lartë të komenteve dhe kritikave rreth Asociacionit, duke theksuar se çdo dyshim mbi kushtetutshmërinë e tij do të qartësohet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
“Ne mendojmë se përqendrimi duhet të jetë në çështjen se si mundet Kosova të ecë përpara me këtë projekt statut dhe ta dërgojë pastaj në Gjykatën Kushtetuese” tha ai duke shtuar se “të gjithë ata që kanë folur mbi rëndësinë e rreshtimit përkrah Shteteve të Bashkuara dhe bashkërendimit me Shtetet e Bashkuara, me perëndimin dhe Evropën, duhet të shohin nga afër faktin se ky projekt statut ka ardhur nga të gjithë miqtë e Kosovës në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara”.
Propozimi për projekt statutin u është dorëzuar palëve me 21 tetor nga të dërguarit amerikanë dhe evropianë. Më 26 tetor udhëheqësit e Gjermanisë, Francës e Italisë dhe të institucioneve të Bashkimit Evropian takuan ndarazi në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për të diskutuar rrugën përpara drejt normalizimit, duke i kërkuar Kosovës themelimin e Asociacionit, ndërsa Serbisë, njohjen de fakto të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ishte i gatshëm të nënshkruante propozimin, por akuzoi presidentin serb Aleksandar Vuçiç se refuzoi të nënshkruante. Presidenti serb tha ndërkaq se propozimi paraqet bazë të mirë për bisedime të mëtejme, por hodhi poshtë çdo mundësi të njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Projekt statuti i Asociacionit që u bë publik kohët e fundit është kritikuar nga një pjesë e opozitës e cila vlerëson se ai dëmton karakterin unitar të shtetit.
“Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara është i qartë. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës, duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nuk duhet të jetë nivel i tretë pushteti, nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Nuk e duam edhe një Republikë Serbe. Nuk duam diçka që ka ndikim negativ në funksionimin e shtetit të Kosovës”, theksoi ambasadori Hovenier.
Themelimi i tij është pjesë e marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe në Ohër më herët gjatë këtij viti e cila nuk arriti të ulte tensionet ndërmjet palëve, që arritën një pikë të lartë në fund të muajit shtator pas një sulmi mbi policinë e Kosovës nga një grup serbësh të armatosur, ku mbeti i vrarë një oficer policie.
Ambasadori Hovenier tha sot se Shtetet e Bashkuara janë ende në proces të një hetimi që nuk mbështetet vetëm në të dhënat e institucioneve të Kosovës rreth ngjarjeve të 24 shtatorit, ndërsa ritheksoi se të gjithë përgjegjësit duhet dhe do të vihen përpara drejtësisë.
Sulmi ka nxitur përpjekje të reja perëndimore për të përshpejtuar normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet palëve, mes shqetësimeve për qëndrueshmërinë në rajon./ VOA