Politike
Protesta/ Berisha paralajmëron Policinë: Mos i prekni protestuesit e zemëruar
Kryedemokrati Sali Berisha zhvilloi një takim online me drejtuesit politik në qarqe për ti dhënë atyre porositë e fundit në lidhje me protestën e së martës ku u shpreh se kërkonte mobilizim të jashtëzakonshëm nga ana e tyre.
Berisha paralajmëroi instancat shtetërore dhe drejtuesit e policisë që të mos guxojnë të prekin protestuesit e revoltuar të opozitës.
“Mosbindja civile e ditës së martë, marshimi në Tiranë, duhet të jetë një triumf i vërtetë i revoltës, i zemërimit, i shpirtit të pamposhtur të qytetarëve në kryeqytetin e tyre. Ndaj dhe, të nderuar drejtues politikë të qarqeve, duhet marrë çdo masë për një dyndje masive të opozitarëve në Tiranë.
Duhet të marrim çdo masë për të dëshmuar përpara shqiptarëve se ne jemi shumica, dhe jo vetëm shumica politike, por edhe shumica numerike dhe se narkodiktatura nuk ka të ardhme. Ajo mbahet tani nga organet e dhunës. Një një akt që më rikujton muajt e fundit të diktaturës komuniste, i ndërruan të gjithë drejtorët dhe sollën në krye të policisë banditë të damkosur, njerëz me lidhje të certifikuara, ushtarë të krimit.
Por unë jam këtu për të paralajmëruar, mos guxoni të prekni protestuesit e zemëruar.
Edhe njëherë, i them përfaqësuesit, bastardit të familjes Hoxha dhe përfaqësuesit të bandës së Troplinëve, mos ndërse narkobanditë kundër qytetarëve se do paguash çmimin më të shtrenjtë. Nuk mund të mbani pushtetin me banda, jo dhe jo”, tha Berisha.