Politike
Protesta para SPAK-ut, zbardhet mesazhi i Gazment Bardhit drejtuar kolegëve
Kreu i PD-së, Sali Berisha së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi do të paraqiten ditën e mërkur në orën 12:00 në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) ku do t’u komunikohet zyrtarisht akuza në lidhje me hetimet për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
Por, ndërkohë, gjatë kohës që Berishës do t’i komunikohet akuza, jashtë godinës së SPAK pritet të ketë protesta të demokratëve.
Pas mesazhit të sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Flamur Noka, së fundmi është zbardhur edhe mesazhi i kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi drejtuar kolegëve të tij.
Bardhi konfirmon prezencën në protestë, teksa iu kërkon edhe kolegëve që të jenë të pranishëm. Ndërkohë mbledhja e Grupit Parlamentar në seli është shtyrë për të enjten.
“Të nderuar kolegë, nesër në 12:00, do të jemi përpara SPAK, sipas njoftimit që është bërë publik. Ndërkohë, mbledhjen e radhës së Grupit Parlamentar, lidhur me seancën plenare, do ta zhvillojmë, të enjten, ora 09:00, në seli. Ju falënderoj”, thuhet në njoftimin e Bardhit.