Connect with us

Lifestyle

Pse disa njerëz duken më të vjetër se mosha e tyre?

Shumica e njerëzve duken më të rinj ose më të vjetër se sa janë në të vërtetë dhe kjo ‘moshë subjektive’, siç konfirmon një studim i realizuar me 1 mijë burra dhe gra të lindur nga viti 1972 deri më 1973, ka rezultuar se mosha biologjike nuk përkon domosdoshmërisht me moshën kronologjike, kjo pasi njerëzit ndryshojnë nga njëri-tjetri në shkallën me të cilën rriten.

Imagjinoni për një moment sikur nuk keni certifikatë lindjeje dhe mosha juaj të bazohej thjesht në mënyrën se sa dukeni. Sa vjeç do të thonit se jeni?

Numri i viteve që kanë kaluar që kur keni ardhur në jetë është një fakt i pandryshueshëm, por impakti i parë që krijon idenë në lidhje me moshën nuk është pjekuria dhe as numri real, por se sa vjeç dukeni tek të tjerët dhe për persona, të cilët duken më të vjetër se sa janë në të vërtetë, ky është një problem shumë i madh.

“Përvoja tregon që ne shpesh nuk e përjetojmë plakjen në të njëjtën mënyrë, me shumë njerëz që ndjehen më të moshuar ose më të rinj seç janë”, thotë Brian Nosek, profesor në Universitetin e Virxhinias.

Për të arritur në përfundimin e mësipërm, ekspertët morën parasysh 18 biomarkera, si presioni i gjakut, funksioni i organeve, shëndeti i dhëmbëve, kolesteroli dhe metabolizmi.

Për shumicën e subjekteve, mosha e tyre biologjike (pra mosha e organizmit të tyre) ishte afër moshës së tyre kronologjike, pra numri i qirinjve në tortën e ditëlindjes. Por për disa këto të dyja ishin shumë larg njëri-tjetrit, ose lart ose poshtë.

Ata që ishin biologjikisht më të vjetër se mosha e tyre, si burra ashtu edhe gra, shënuan gjithashtu rezultate më të ulëta në testet që kishin të bënin me aftësi të tilla si koordinimi motorik, ekuilibri dhe qartësia mendore.

Disa prej tyre kishin vështirësi edhe në aktivitete të thjeshta fizike si ngjitja e shkallëve.

Sipas ekspertëve duhet të njohim faktorët që kontribuojnë në përshpejtimin e plakjes tek disa njerëz, në mënyrë që më pas të trajtohen, duke rezultuar në zgjatjen e rinisë sonë.

Advertisement