Connect with us

Bota

Putin: Trupat perëndimore në Ukrainë do të ishin një objektiv

Presidenti rus, Vladimir Putin, duke folur nga Vladivostoku, deklaroi se çdo prani e trupave perëndimore në Ukrainë do të bëhej një objektiv për forcat ruse. “Nëse trupa të huaja do të shfaqeshin atje (në Ukrainë), veçanërisht tani gjatë luftimeve, ne e marrim të mirëqenë që ato do të ishin objektiva legjitime,” tha Putin, duke folur në Forumin Ekonomik Lindor (EEF) në Vladivostok, në lindjen e largët të Rusisë.

Kreu i Kremlinit shtoi se vendosja e një force perëndimore “nuk do të ndihmonte në një paqe afatgjatë”. Putin deklaroi se nëse do të mund të arrihej një marrëveshje paqeje për Ukrainën, atëherë nuk do të kishte nevojë për trupa të huaja. “Nëse do të arriheshin vendime që do të çonin drejt paqes, një paqe afatgjatë, atëherë thjesht nuk shoh ndonjë arsye për praninë e tyre në territorin ukrainas. Sepse, nëse do të arriheshin marrëveshje, askush të mos dyshojë që Rusia do t’i respektonte plotësisht,” tha lideri i Kremlinit.

Një qëndrim i ashpër i Kremlinit erdhi më pas ndaj ndaj vendeve europiane, të akuzuara për “pengimin” e zgjidhjes së konfliktit në Ukrainë. “Europianët,” tha zëdhënësi i Moskës, Dmitri Peskov, në një intervistë për gazetën ruse Izvestia, “po pengojnë zgjidhjen në Ukrainë. Ata nuk po kontribuojnë aspak.” Peskov akuzon Europën se “po vazhdon përpjekjet” për ta kthyer Ukrainën në “qendrën e gjithçkaje që është kundër Rusisë”.

Rusia nuk mund t’i lejojë NATO-s të vendosë trupat e saj në Ukrainë dhe do të bëjë gjithçka për të garantuar sigurinë e saj, tha Peskov, i cituar nga agjencia Tass. “Përpjekja e NATO-s për të gjetur qasje drejt Ukrainës përbën një kërcënim për vendin tonë,” tha ai, duke e quajtur një “kërcënim për kufijtë tanë”. “Është një kërcënim për ne, sepse NATO e konsideron Rusinë si armik, siç e shprehin qartë dokumentet e tyre. Nuk mund ta lejojmë që kjo të ndodhë. Dhe do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të garantuar sigurinë tonë,” shtoi Peskov.

Kremlini – tha më tej Peskov – është “absolutisht” kundër garancive ushtarake amerikane dhe europiane që i ofrohen Ukrainës për sigurinë e saj. “Të huajt, veçanërisht kontingjentet ushtarake europiane dhe amerikane, a mund ta garantojnë sigurinë e Ukrainës?” – pyet Peskov duke folur për agjencinë RIA Novosti. “Absolutisht jo, nuk munden,” tha ai. “Kjo,” shtoi ai, “nuk mund të jetë një garanci sigurie për Ukrainën që të jetë e pranueshme për vendin tonë.”

Ndërkohë, gjatë natës, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se do të flasë “me Putinin”. “Kemi një dialog të mirë,” tha ai. Nga Moska, megjithatë, erdhi një qëndrim më i përmbajtur.
“Në këtë moment,” tha Peskov për Tass, “nuk ka pasur ndonjë rezultat paraprak.” Trump, përveç kësaj, është gati të firmosë urdhrin ekzekutiv për të ndryshuar emrin e Departamentit të Mbrojtjes në “Departamenti i Luftës”, emër që e mbante deri në vitin 1947. Kreu i Pentagonit, Pete Hegseth, do të bëhet kështu “sekretari i luftës”.

 

Advertisement