Bota
Qetësohen emigrantët, Parlamenti gjerman refuzon projektligjin që ashpërsonte masat

Parlamenti i Gjermanisë ka refuzuar një projektligj që parashikonte shtrëngimin e masave kontrolluese të emigrimit. Propozimi ishte sjellë nga pretendenti kryesor për kancelar nga CDU/CSU, Friedrich Merz, me mbështetjen e partisë së ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD).
Megjithatë, Projektligji u refuzua me 350 vota kundrejt 338, nga 693 deputetë sa votuan, përfshirë pesë abstenime.
Merz, që do të udhëheqë Unionin Kristian Demokratik në zgjedhjet e 23 shkurtit, ka thënë se projektligji ishte domosdoshmëri për sigurinë e brendshme të Gjermanisë dhe ka mohuar se ka bashkëpunuar me AfD-në, apo se kishte qëllime të tilla.
“Ka shumë që janë të shqetësuar për demokracinë, por ka shumë që janë të shqetësuar për sigurinë dhe rendin në këtë shtet dhe pres që të merren vendime”, ka thënë ai para votimit.
Propozimet në projektligj përfshinin mbylljen efektive të kufijve tokësorë gjermanë ndaj imigrantëve të parregullt dhe lejimin e policisë federale të kërkojë urdhër-arreste për njerëzit që s’kanë të drejtë ligjore për të qëndruar në Gjermani.

