Politike
Qori shpërthen: Veliaj duhet të ishte shkarkuar prej kohësh, ai ende nuk po hetohet për inceneratorin

Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, ka deklaruar se Erion Veliaj duhet të ishte shkarkuar me kohë nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, që kur Prokuroria ngriti akuzat për korrupsion ndaj tij.
Sipas Qorit, arsyeja pse Erion Veliaj po shkarkohet tani ka të bëjë me larjen e hesapeve brenda PS-së. Ai tha në Ora News se nuk duhet harruar fakti që Erion Veliaj ende nuk po hetohet për inceneratorin e Tiranës apo për lejet e ndërtimit.
Qori: Në këndvështrimin tonë, Erion Veliaj duhej të ishte shkarkuar prej kohësh. Gati ndoshta që në fillim të mandatit të tij, sepse ka qenë i akuzuar jo vetëm nga opinioni publik por pastaj edhe nga prokuroria për korrupsion dhe për vepra të rënda korruptive.
Ne si parti, përfaqësuesja jonë në këshillin bashkiak e kemi kërkuar pandalshëm shkarkimin e Veliajt. Edhe shpresoj shumë që kjo gjë të ndodhë nesër.
Në gjykimin tim, Erion Veliaj jo vetëm duhej shkarkuar më parë por edhe proceset ndaj tij duhej të ishin mjaft më të gjera. Nuk duhet të harrojmë, se ai ende nuk po hetohet për inceneratorin e Tiranës. Ende nuk po hetohet për lejet e panumërta të ndërtimit që e kanë bërë qytetin tonë vërtet të pajetueshëm.
Arsyeja se pse po shkarkohet tani ka të bëjë ndoshta me larjen e hesapeve brenda PS. Zgjedhjet në bashkinë e Tiranës duhet të organizohen një orë e më parë.

