Connect with us

Aktualitet

Qytetari ankohet për zhdukjen e varrit të…

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së premtes një skandal me vendet e varreve në Tufinë. Një qytetar iu drejtua emisionit investigativ për të gjetur varrin e vëllait të tij.

“Varri ishte i rregullt, por kur shkova për ta parë, në të njëjtin vend ishte varrosur një grua. Kam bërë ankesa dhe denoncime, të paktën kërkoj eshtrat apo arkivolin ku ka qenë vëllai” tha ai, teksa gjatë investigimit ai tako edhe drejtoreshën e Agjencisë së Shërbimit Funeral në Tiranë. “Nuk mbaj përgjegjësinë e të tjerëve, denoncojeni në polici dhe prokurori. Në Tufinë, ka shumë probleme të tilla, madje edhe një varr mural me 7 persona nuk gjendet” i tha drejtoresha, duke faktuar skandalin e përmasave më të mëdha.

“Dua varrin dhe eshtrat e vëllait”

Në datën 6 korrik 2022, Policia e Tiranës arrestoi drejtorin e Varrezave të Tufinës, bashkë me disa persona të tjerë, të cilët akuzoheshin se shisnin vende varresh kundrejt një shume nga 50 deri në 200 mijë lekë. “Drejtori i varrezave të Tufinës, Eliodor Ndini ka rënë në prangat e policisë këtë të mërkurë, i akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre, pas operacionit të zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë dhe seksioni i Krimit Ekonomik. Operacioni po zhvillohet në bazë të një procedimi të nisur nga seksioni i Krimit Ekonomik të Policisë së Tiranë, për Drejtorinë e Varrezave në Tufinë. Sipas informacioneve, deri më tani janë arrestuar drejtori i varrezave, dy janë në kërkim, kurse dy të tjerë po hetohen në gjendje të lirë. Drejtori në bashkëpunim me të tjerë kërkonin nga qytetarët nga 50 deri 200 mijë lekë të reja për një vend në varreza” raportuan mediat në muajin korrik.

Pas këtij operacioni, në redaksinë e Fiks Fare u ankua një qytetar nga Tirana, i cili denoncoi zhdukjen e varrit të vëllait. Ai thotë se në vitin 1958, në Spitalin e Tiranës, i ka vdekur një vëlla S.F. “Ai ka qenë 2 vjeç kur ka vdekur dhe e kanë varrosur në Tufinë. Ka qenë një varr i rregullt, jo nga ato të foshnjave. Deri në vitin 2017 e kam vizituar varrin, pasi shkoja edhe te prindërit. Në atë vend, që është në qendër të varrezave të Tufinës, ishin varre të vjetra, persona të varrosur në vitet ’50 apo ’60. Kishte rivarrime, por të njerëzve të tyre të afërt. S’kishte varre të reja. Në vitin 2017, kam pësuar një aksident dhe s’kam shkuar te varrezat e Tufinës. Kam shkuar më pas në 2021 dhe kam parë që në të njëjtin vend, pra në vendin e varrit të vëllait im, ka qenë e varrosur një grua tjetër A.K. Kam kontaktuar me punonjësit e varrezave dhe më kanë thënë të bëja ankese të Drejtoria e Funeralit në Tiranë. Kam shkuar disa here të kjo drejtori, kam bërë kërkesa, po përgjigjet e tyre kanë qenë kontradiktore” thotë qytetari.

Më pas shpjegon se Agjencia e Shërbimeve Funerale i ka kthyer përgjigje se në atë vend ku thotë se varri nr.15, është zënë nga varri nr.14 me dy zonja të varrosura që në vitin 1961. Ndërsa në varrin nr.15 që është i regjistruar vëllai im nuk më japin asnjë lloj sqarimi. Denoncuesi pohoi se ka marrë të gjitha dokumentet, certifikatat e vdekjes, apo edhe familjare. Madje, edhe dokumentet që vërtetonin se ishte varrosur në Tufinë, por deri më tani s’ka marrë zgjidhje.

Drejtoresha: S’po gjejmë dhe 1 varr mural me 7 persona…

Qytetari tha se e ka denoncuar ngjarjen në Policinë e Tiranës, në komisariatin nr.4. “Më dhanë të drejtë dhe më thanë se i kanë referuar materialet në Prokurorinë e Tiranës. Por, deri më tani, s’më kanë lajmëruar se çfarë ka ndodhur me kallëzimin tim” pohon ai, ndërsa shton se te Agjencia e Shërbimeve Funerale ka shkuar me dhjetëra herë.

Qytetari, bashkë me gazetarët e Fiks Fare, shkon te Agjencia e Shërbimeve Funerale të Bashkisë Tiranë për të marrë informacion. Në ditën e parë, ai kërkon të takojë drejtoreshën Raimonda Shino, të cilën e ka takuar edhe më parë për këtë problematikë. Por, punonjëset e i thonë se nuk është tani. Ato i thonë se përgjigjja është ajo që ka marrë me shkrim dhe se po takoi drejtoreshën, të njëjtën përgjigje do të marrë.

Disa ditë më pas, Safeti bashkë me gazetaren e Fiks Fare, shkojnë sërish. Kësaj herë takojnë drejtoreshën Raimonda Shino, e cila u thotë se e ka pritur disa herë zotërinë. “E kam sugjeruar që ta denoncojë në polici ngjarjen. Nuk e mbaj dot përgjegjësinë e të tjerëve. Situata është ajo që kam dhënë në shkresën zyrtare. Ajo që gjendet në terren dhe ato që janë të shkruara në regjistrin e varrezave. Nëse ju keni kërkesë me shkrim edhe unë si drejtuese institucioni do ta përcjell referimin në polici” thotë ajo. Më tej shton se aktualisht në varrezat e Tufinë s’ka probleme të tilla, madje tregon një rast të një familje me 7 persona që kanë bërë një varr mural dhe në vendet e tyre ishin 7 persona të tjerë dhe në regjistër nuk ishte e pasqyruar.

Qytetari i kërkon që të shkojnë në terren, pasi nga përgjigjja me numrat, nuk del e saktë. Ajo thotë se nuk mban përgjegjësi, duke u thënë se “kjo është përgjigjja ime”. Më tej u thotë se përgjigjen ia dha siç del në regjistër dhe se ajo është përgjigjja e tyre. “Nuk mbaj përgjegjësi, unë ta kam dhënë me shkresë zyrtare. Nuk kam ça të bëj, këto janë” vijon ajo, ndërsa e pyesin se ku janë eshtrat. Drejtoresha përgjigjet se “kush mund ti ketë hequr, ka kryer një krim, dhe duhet të merret prokuroria dhe policia. Dhe, nëse vendon gjykata për zhvarrime, normalisht do ta zbatojmë”./tch

Advertisement