Politike
Rama me mandatin e katërt, si perandorin romak që njihet për çmendurinë dhe degjenerimin e tij

Anëtari i kryesisë së PD-së, Gent Strazimiri, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka shndërruar qeverisjen në një farsë të rrezikshme, duke e krahasuar me perandorët më famëkeq të historisë.
“Është për të qarë e për të qeshur. Rama ka luajtur Enverin, Mousolinin, Mehmetin, Stalinin në tre mandatet e para. Tani, në mandatin e katërt, ka vendosur të luajë Kaligulën, perandorin romak që njihet për çmendurinë dhe degjenerimin e tij,” u shpreh Strazimiri.
Sipas tij, Rama po ndjek të njëjtin model shkatërrues, duke e kthyer pushtetin në një teatër të shëmtuar ku ai vendos gjithçka, madje deri aty sa të shpallë “kali senator” dhe të përdorë njerëzit e afërt për tendera dhe korrupsion.
“Historia e Kaligulës përfundoi me tmerr, kur dogji Romën. Pyetja është: do ta lejojmë këtë Kaligulë tonin të djegë Shqipërinë, apo do t’i tregojmë vendin?” – deklaroi Strazimiri.
Ai shtoi se tashmë është e certifikuar ndërkombëtarisht se në Shqipëri nuk ka zgjedhje të lira. Sipas tij, çdo standard i Kartës së Kopenhagës është shkelur: partia është ngjitur me shtetin, administrata është kthyer në militantizëm, fondet publike përdoren për pushtetin, ndërsa media kontrollohet nga kryeministri.
“Gjithë pushteti është grumbulluar në duart e një individi. Ky vend nuk ka më zgjedhje. Populli nuk merr më frymë, dhe kjo është e vërtetuar nga raportet ndërkombëtare,” theksoi Strazimiri, duke e cilësuar situatën si më të rëndën në historinë e tranzicionit.
Strazimiri:
Është për të qarë e për të qeshur, pasi ka luajtur Enverin, Mousolinin, Mehmetin, Stalinin në 3 mandatet e para, so, mesa duket, në mandatin e 4 ka vendosur të luajë Kaligulën, perandorin famëkeq romak i cili mbahet mend sepse ka përdhunuar të gjithë bashkëpunëtorët e tij, përfshirë gratë, fëmijët, vajzat, ku ta di unë se çfarë, të cilët sigurisht që nuk ndjesheshin për shkak të përfitimeve që merrnin prej tij në kurriz të popullit të Romës.
Sot Rama vendosi të bëjë kalin senator, ka bërë kalin e tij, është Diella, që do të merret me tenderat dhe është AI.
Historia mbaron me fundin e tmerrshëm të Kaligulës, ku në fund do të digjte dhe Romën.
Çështja që kemi tani të gjithë bashkë është që do rrimë të presim që ta djegë Romën ky Kaligula ynë apo do t’ia tregojmë vendin njëçikë më përpara, pasi çdo gjë që mund të bënte tashmë e ka bërë, ka kaluar edhe të paimagjinueshmen.
E kemi të certifikuar vazhdimisht ndërkombëtarisht që në këtë vend nuk ka zgjedhje, ato që bota quan zgjedhje i përgjigjen të paktën 5 kritereve minimum të Kartës së Kopenhagës: ku partia nuk duhet të përzihet me shtetin, ku zgjedhësi duhet të jetë i lirë, ku administrata nuk duhet të merret me politikë dhe nuk duhet të mbledhë vota për partinë në pushtet, ku fondet publike duhet të shpërndahen në mënyrë të barabartë pavarësisht nëse ka apo s’ka zgjedhje, pavarësisht kë voton komuniteti apo qytetari, ku media është e lirë dhe e pavarur dhe jo të përcaktohet nga kryeministri.
Këtu gjithë pushteti është grumbulluar në duart e një individi, nga kjo pikëpamje të thuash se ç’do të ndodhë në tetor, a do të kemi zgjedhje, a ka PD alternativa etj, këto janë të gjitha biseda sekondare.
Problemi që kemi është se në këtë vend nuk ka më zgjedhje.
Këtu nuk bëhet fjalë a është kandidaturë e mirë a është kandidaturë e keqe ajo e opozitës, a mund të gjejë kandidatura më të mira opozita që të frymëzojë popullin. Populli thjesht nuk merr më frymë, e keni me certifikatën mjekoligjore post mortem të OBE-ODHIR-it datë 12 maj e këtij viti, ora rreth 4-5 pasdite.

