Connect with us

OPINION

Rama ndryshime në qeveri/ Dervishi: Emra të rinj, problem i vjetër

Nga Lutfi Dervishi

Ndryshimet në qeveri nuk erdhën as nga presioni rrugës, as nga presioni i opozitës, por nga hija e Drejtësisë dhe rutina e ndryshimit për hir të ndërrimit.

Edhe ata që u larguan, edhe ata që erdhën, edhe ata që qarkulluan, lajmin e morën në të njëjtën kohë me publikun.

Edhe të larguarit, edhe të qarkulluarit nuk e kuptuan pse u larguan. Por më të çuditurit janë ata që u bënë ministra.

Emrat e rinj, nuk thonë asgjë për publikun sepse Partia në pushtet ka 10 vjet që i është shmangur debatit publik- në kurdhën e të cilit spikatin politikanët. E përqëndruar te propaganda dhe ideja që nuk kemi opozitë, emrat e rinj në kabinetin qeveritar (përjashto Maznikun) nuk i thonë asgjë publikut.

 

 

Kryeministri duket se ka vendosur të jetë edhe kryeministër i punëve të jashtme, të mos ketë shumë pengesa nga dikasteri i llogarive dhe ka luksin të akomodojë kë të dojë dhe të nxjerrë në rrugë ata që i bëhen barrë.

Megjithëse foli gati një orë për suksesin e jashtzakonshëm në turizëm, Kryeministri nuk ishte i qetë aq më pak i qeshur. Hija e shkurtër e SPAK-ut dhe lista e gjatë e skandaleve janë ana tjetër e medaljes.

Motoja që përgjegjësia është individuale nuk përjashton përgjegjësinë politike, administrative dhe morale.

Korrupsioni që në vend është sa elitar aq edhe kapilar nuk luftohet me 8 prokurorë të SPAK-ut. Zgjidhja nuk është SPAK. Është përgjegjësi në radhë të parë e ekzekutivit.

Aferat për të cilat gjysma e qeverisë së majtë është në SPAK, nuk erdhën nga qielli, as nuk janë zbulim i SPAK dhe nuk janë gabime pa dashje. Aferat janë zbardhur nga media, shoqëria civile dhe opozita prej vitesh. SPAK, thjesht diku me drojë dhe diku me të shtyrë po mbledh fillin që ja ka dërguar në derë opozita dhe shoqëria civile. Madje në aferat e mëdha, cilësia e denoncimit është më e lartë se ajo e hetimit.

Do të ishte për t’u duartrokitur qeveria nëse strukturat antikorrupsion të ekzekutivit të dërgonin dosjet apo denoncime në SPAK. Do të ishte ideale që me zbulimin e aferave të kishim distancim.

Ajo që kemi parë është mohim, kundërshtim, rezistencë deri në pikën ku gota e zullumit është mbushur dhe nis dhe derdhet. Dhe rezistenca është bërë edhe në komisionet hetimore parlamentare.

Problemi i korrupsionit që gjatë këtyre 10 viteve ka ardhur duke u majisur nuk zgjidhet me predikime dhe paralajmërime. (Është detyrë e hoxhës dhe priftit të flasë kundër vjedhjes) nuk bëhet vreshti me urata, por me shata e lopata!

Lufta ndaj korrupsionit kërkon në radhë të parë vullnet politik, reforma të thella dhe përgjegjësi politike, llogaridhënie brenda ekzekutivit.

Nëse Kryeministri dhe qeveria i marrin seriozisht artikujt e shtypit (sidomos shkrimet investigative), nëse do të funksionojnë kontrollet e brendshme dhe departamentet antikorrupsion, nëse do të nxirren përgjegjësi nga raportet e KLSH dhe komisioneve hetimore parlamentare, nëse denoncimet e opozitës nuk do të konsiderohen si baltë ndaj “arritjeve të qeverisë, atëherë qeveria sot do të ishte më e qetë dhe nuk do të mburrej se nuk po lë pa punë SPAK-un.

Ndryshimet në qeveri dhe vetë fjala e Kryeministrit nuk japin asnjë sinjal se do të ketë një qasje pro aktive ndaj korrupsionit. Mesazhi kryesor është: kujdes nga SPAK. “Dy duart për një kokë”.

Ndryshimet në qeveri në 10 vjetorin e ardhjes në pushtet të PS-së përveç emrave nuk sjellin më asgjë të re. Problemet janë të vjetra.

 

OPINION

Kush po e drejton botën?

Ditmir Bushati bisedoi në podcastin e tij Public Square me Ian Bremmer, një shkencëtar politik mjaft i spikatur, jo vetëm në SHBA, por edhe jashtë saj. Bremmer është president themelues i kompanisë “Eurasia group”, një kompani konsulence, e cila merret me analizimin e risqeve në mbarë botën. Ian, në të njëjtën kohë, është edhe themelues e drejtues i medias digjitale “GZERO”

Bushati dhe Bremmer diskutuan mbi cështje të rëndësishme të cilat janë kryefjalë e opinionit publik ndërkombëtar, duke nisur nga beteja presidenciale Biden-Trump në SHBA, e cila do të jetë përcaktuese për disa konflikte dhe për mjedisin e ri gjeopolitik, por edhe cështje që kanë lidhje me demokracrinë, me sundimin e së drejtës, me ekonominë, me inteligjencën artificiale dhe zhvillimet e vrullshme teknologjike, me rolin e organizatave ndërkombëtare, me rolin e kompanive ndërkombëtare, dhe ndikimin që ato kanë në sjelljen njerëzore, politike, ekonomike, shtetërore dhe jo vetëm.

Biden apo Trump? Cfarë duhet të presim prej tyre?

Bushati dhe Bremmer diskutojnë mbi procesin zgjedhor të muajit nëntor në SHBA të cilat kanë rezervuar një ripërballe Biden-Trump. Bashkëbiseduesit bien dakord që këto zgjedhje kanë një ndikim të madh, si në planin e brendshëm ashtu dhe në rrafsh ndërkombëtar. Në planin e brendshëm, kjo garë do të shoqërohet me një mjedis disinformimi dhe disinformimi të perceptuar, ku amerikanët nuk pranojnë shumicën e gjërave që dëgjojnë nga pala tjetër kundërshtare në politikë. Është një betejë shumë e ashpër, ku shumica e amerikanëve gjithnjë e më shumë nuk besojnë te vlerat dhe institucionet që përfaqëson vendi i tyre.

Bushati dhe Bremmer diskutojnë mbi atë cfarë do të ndodhë në Europë dhe më tej dhe në Azi, nëse fitues i këtyre zgjedhjeve rezulton ish-Presidenti i SHBA-ve. Sipas Bremmer, do të ketë shumë më tepër mungesë stabiliteti, paqëndrueshmëri, pasiguri nga shtetet më të fuqishme të botës.

Sipas tij, katër janë frontet kryesore të tensionit gjeopolitik që do të vijnë nga zgjedhja e Trumpi-it, mbi të cilat ai do të vendoste shumë më tepër presion ndaj secilit prej tyre. Në rastin e Lindjes së Mesme, ka më shumë mundësi që rezultatet të jenë në favor të SHBA-ve. Në rastin e Europës dhe Ukrainës, ka më shumë mundësi që rezultatet të jenë kundër SHBA-ve dhe NATO-s. Kina është tërësisht një mister. Gjithçka mund të ndodhë. Kina mund të përfundojë në një luftë shumë më të madhe me SHBA-në, ose me një ekonomi më të dobët. Dhe me një Azi në një mjedis gjeopolitik sfidues, ata mund të tërhiqen në përpjekje për të gjetur një mënyrë për ta pranuar situatën dhe për t’i mbajtur marrëdhëniet të stabilizuara.

NATO këtë vit shënon përvjetorin e 75-të të themelimit dhe Bushati e Bremmer bien dakord që viti i shkuar ka shënuar kulmin e kësaj aleancë në dekada. NATO po dobësohej përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën në vitin 2022. Pavarësisht se lufta filloi në vitin 2014, europianët nuk po shpenzonin, dhe sigurisht nuk po angazhoheshin për ta bërë Ukrainën apo Gjeorgjinë pjesë të NATO-s në një të ardhme të afërt. Rusia e shfrytëzoi këtë gjë. Më pas, Rusia bëri atë gjë që nuk duhej ta kishte bërë kurrë. Sun Tzu ka thënë: “Mos e ndërprit kundërshtarin teksa është duke bërë gabime”. NATO po dobësohej, kishte më pak mbështetje, Franca po fliste për autonomi strategjike, Trump po thoshte se ndoshta nuk duhej të angazhohej më në aleancë, dhe më pas Putin pushton Ukrainën, gjë që e bashkoi NATO-n. Kjo bëri që Suedia dhe Finlanda të donin t’i bashkoheshin  NATO-s. Kjo situatë bëri që të gjithë të shpenzonin më shumë, bëri që Gjermania të fliste për një Zeitenëende (pikë kthese). Por, vijon Bremmer, dy vite më vonë, Rusia ka më shumë vëmendje ndaj Ukrainës, janë më të duruar dhe të gatshëm të durojnë më gjatë, sesa më shumë – jo të gjithë – por më shumë aleatë të NATO-s. Fatkeqësisht, në vitin 2024 nuk po shikojmë atë pikën kulmore të NATO-s që pamë në vitin 2023.

Komunitet i mbrojtjes së BE-së?

Bremmer beson se Bashkimi Europian ekziston si një komunitet politik, është eksperimenti më i suksesshëm i qeverisjes mbikombëtare në botë, në ditët e sotme, por shpreh rezerva nëse do të jetë po kaq i suksesshëm me ngritjen e komitetit të mbrojtjes. Sipas tij, komuniteti është më i fortë pas reagimit ndaj krizave, si Brexit, pas reagimit ndaj pandemisë, përgjigjen ndaj pushtimit të Ukrainës nga ana e Rusisë apo politikave të përbashkëta të energjisë. Por, për sa i përket mbrojtjes, kjo është diçka e vonuar dhe e paktë. “E parë në përgjithësi, ky është një hap i mirëpritur për të përforcuar aftësitë në fushën e mbrojtjes të Europës. Unë jam skeptik se thirrjet për një komision për mbrojtjen do të jenë të mjaftueshme për të bërë një ndryshim të rëndësishëm, edhe pse ato do të bëjnë ndryshime të vogla, kur flasim për të ardhmen e Ukrainës, apo kur flasim për të ardhmen e NATO-s. Nuk mendoj se kjo do të jetë një nga sukseset përkrah sukseseve të tjera që përmenda”.

Siguria e ekonomia globale dhe rendi digjital

Bushati dhe Bremmer ndajnë mendimin se SHBA-të janë fuqia dominuese e sigurisë në nivel global, si i vetmi vend në botë që mund të projektojë pushtetin e tij ushtarak në të gjithë botën. Por rendi ekonomik është një rend me shumë pole, me një sërë polesh që ndryshojnë ndikimin e tyre relativ. SHBA-të, Kina, BE-ja, por edhe India po bëhet më e rëndësishme. Në vitin 2030, ajo do të jetë ekonomia e tretë më e madhe. Japonia, gjithashtu. Një rend me shumë pole, ku askush nuk mund të dominojë, me shumë aleanca që zhvendosen. Por, më pas kemi edhe një rend digjital që po dominohet gjithnjë e më shumë nga kompanitë teknologjike. Dhe teknologjia po lëviz shumë më shpejt sesa qeverisja dhe aftësia për ta drejtuar atë. Ne ende nuk po i mendojmë kompanitë teknologjike si aktorë gjeopolitikë, por ato janë të tilla. Ato po bëhen të tilla gjithnjë e më shumë.  Dhe kjo është veçanërisht e vërtetë me revolucionin e inteligjencës artificiale. Rrjedhimisht, kjo është një periudhë veçanërisht entuziaste për gjeopolitikën, por me shumë gjasa një periudhë e rëndësishme për Perëndimin.

Teksa bien dakord që inteligjenca artificiale është një faktor dominues që mund të jetë një forcë pozitive, por mund të ketë edhe pasoja shumë të rënda, Bushati dhe Bremmer shprehen se SHBA-të dhe Kina janë dy fuqi dominuese në botë që kontrollojnë inteligjencën artificiale. Megjithatë nuk është e qartë nëse qeveritë do të kenë një rol të madh në vendimmarrje. Në SHBA kjo është e paqartë. Por, vendimarrja politike mund ta pengojë Kinën që të bëhet një aktor i nivelit botëror për inteligjencën artificiale, pasi Kina është e shqetësuar për atë që mund të bëjë inteligjenca artificiale me qytetarët e saj, duke prishur regjimin autoritar. Dhe nuk është e qartë nëse SHBA-të dhe Kina do të jenë dy fuqitë dominuese në inteligjencën artificiale. Ose nëse do të mendojnë për të më shumë në një mënyrë të fragmentarizuar, me një numër të madh aktorësh që nuk janë shtete, të cilët qeveritë nuk do të mund t’i kontrollojnë. Dhe nëse kjo gjë do të bëhet një realitet, rolet e qeverive në SHBA dhe Kinë do të jenë të kufizuara. Ato nuk do të mund të jenë vendimmarrëse.

Continue Reading

OPINION

‘Më mirë dorëzohu Edi, se më keq do bëhet’/ Kryeministri spanjoll i kthet keq Ramës

Nga Basir Çollaku

Në shenjë solidariteti homologu spanjoll i kthen xhevap Ramës…

I dashur Edi, mos u dorëzo, qëndro, rezisto, mos ta ndjejë, e vërteta do të dalë për lidhjet e Olsit në trafikun e drogës. Aty janë përgjimet e shkresat te Olsi tjetër në PP. Për dosjen e call centerave në Spanjë i hedh një sy për Olsin po qetësohu, ndonëse e ke bërë baltë.

Kam besim se ju sapo bëtë drejtësinë e re, me ish sigurimsa dhe bijtë e tyre. As për Engjëllin e shejtanllëqet e tij të shumta mos u dorëzo, se e vërteta do të dalë për batërditë e tij.

As për Lir Beqjen mos e vrit mendjen, do të dalë e vërteta e koncensionit të sterilizimit, ku ai ua ka bërë nënën parave publike.

Për Arben Ahmetajn mos çaj kokë se do ia dalë në Zvicër, por ruhu se ka marrë dosje me vete. Do flasë prapë më duket.

Për Oltën u kujdese vetë të mos zbatosh vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ia hodhe përkohësisht, megjithëse një fshat turistik ka hapur telashe të reja.

Me Erionin bëj kujdes se e ka qelbur fare, por rezisto, se ca qindarka 30 milionë euro janë pak, e tjetra kusur miliardash te inceneratorët. Mbroje se të merr me vete ai, nuk i zihet besë. Me kullat e kto strategjiket ia keni valuar marrëzisht.

Damiani e Charles, historitë e tyre, janë histori të mbuluara, ndaj mbahu se ke kohë për përballjen.

Me Taon je mirë, deri sa të plasë puseta. Pastaj nuk dihet kë merr përpara, se aty janë pafund gomarllëqet.

Tahirin e Fatmirin mos i lër pas dore se nuk ta falin kollaj ata, për çfarë u kurdise.

Me Belindën përveç sherrit me Veliajn, hidhu një sy drejtorëve se gropa është thelluar për qamet. Bashkiakët mbi 20 e kusur i ke në udhën e qelive mos humb kohë me ta.

Gjushin bëre mirë që e nxore nga burgu, se ai ka sakrifikuar për ty.

Me Lefterin e teprove se ai nuk ishte koka e inceneratorëve, por kurbanet kështu e kanë.

Ke rënë në sy me kto marrëveshjet e huaja, se kanë duart mafiozët rrotull.

Je treguar i zgjuar se largove çunat në Dubai e Londër, por në Durrës të kanë dalë nga kontrolli, dhe po të kontrollojnë, sidomos këtej nga vettingu. Për më gjatë pyet Inën..

Me këta të RAI pisk e ke, si me Bild e mos më keq..

Edi, bëj gajret. Unë kam shumë telashe, plot një rast, ti ke pak fare, të gjithë njësoj plaçkitës e Mafiozë..

Continue Reading

OPINION

Ilir Metën nuk e shpëton dot Sari Salltiku as Baba Tomorri!

Nga Azgan Haklaj

Në tmerrin që e dominon, i vetëdijshëm për abuzimet korruptive përsonale, familjare e kolektive që ka kryer në tre dekada, pikërisht në sajë të pushtetit Ilir Meta po reagon në forma diverse.
E përbashkëta e të gjithë reagimeve që kur ka marrë sinjalin e qartë se nuk ka shpëtim ndonëse herë qesharake e herë agresive është tentativa e fundit për të fituar kohë.
Por në fakt qetësia e SPAK-ut dhe mbështetësve të tij euroatlantikë, ekzaminimi i gjithë familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të tij ndër vite tregon se nuk po hetohet gjurma por është rrethuar vetë ujku.
Ndërrimi i emrit të LSI-së si paradoks pikërisht kur integrimi është kryefjalë nacionale apo shpikja e presidencës dhe konventave.
Trukimi për nepotizëm e tradhëti nuk janë asgjë përveçse fantazi me sy mbyllur e gomarit që ka ujkun në prapanicë e mendon ta kthejë në ëndërr.
Askush nuk i beson, as ata që bashkëjetuan politikisht me të.
Dhe marrëzia deri në neveri qëndron në
lajmin “bombastik” që filloi ta mediatizojë se pas konventës do i bashkohet “myhybëve” të Sali Berishës pikërisht poshtë çatisë së një kulle korrupsioni ku e kanë ngujuar.
E për ta veshur me patriotizëm karshillëkun që guxon ti bëjë drejtësisë dhe SHBA-ve filloi të këndojë këngën “O moj Serbi murin ta prisha se mua m’thonë Sali Berisha”.
Sa për dijeni Sali Berisha e Ilir Meta jo vetëm nuk prishën murin e Serbisë por u bënë tullë në murin e saj duke thyer embargon ndërkombëtare kundër saj pikërisht në kohën e genocidit masiv serb kundër popujve të Ballkanit.
Të ishte për Sali Berishën Kosova nuk do të
ishte kurrë shtet sovran dhe UÇK-ja do ishte organizatë terroriste.
Të ishte për Ilir Metën nuk do bëhej negociator në mos përfitues i instalimit të
fluturimeve të “Air Serbia” në vendin tonë.
Kur shumë dokumente do të deklasifikohen nga aleatët atëherë do të dalë e vërteta e trishtueshme e rolit të tyre për Kosovën dhe çështjen kombëtare.
E sikundër nuk mundet të stopohet një
mendje e çartur politike dhe njerëzore Ilir Meta ka filluar të materializojë hapin e fundit të dëshpërimit për të krijuar popullaritet të
rremë sikundër një tentativë “reflektimi” të një mëkatari sistematik.
Ka filluar me truket e uniformës jeshile të “Celtik” duke u munduar ta identifikojë me simbolin e bektashinjëve Sari Salltik Baba.
Ky vegim i rremë i mbështetur në deformacione mentale ka brenda një veprim jo të një besimtari por të një horri që aksionit të vet kërkon ti veshë kostum religjioz.
Ilir Meta si përfundim po kurthohet në praqet e veta.
E tani fundi do të jetë shkelqimi i prangave të drejtësisë në duart e tij në vend të hekurave në palestra luksoze.
Atë nuk e shpëton dot Sari Salltik Baba, as baba Saliu, as baba Tomorri.
Për çunin e pazarit të ri do të flasë drejtësia njerëzore dhe hyjnore.

Continue Reading

OPINION

Tërbimi i Metës-triumfi i SPAK-ut!

Ndonëse ndaj pikpamje thellësisht të kundërta politike e civile me Ilir Metën (Metajn) do ta suportoja nëse do vezhgoja një moment të vetëm që dikush juridikisht apo njerëzisht do ti binte pa të drejtë në qafë çiftit politik e bashkëshortor Meta -Kryemadhi.

Biles do imitoja shkrimtarin e madh Emil Zola që atëbotë mbronte çiftin Rozenberg me pamfletin e famfshëm “J’accuse”(Akuzoj).

Por dita e djeshme e komedisë në mbledhjen e kryesisë se mbetjeve të demokracisë që thirren si Partia e Lirisë me neverit deri në limitet e protestës politike e humane.

Pa dashur të komentoj atë që publikisht u pa dje me zë e figurë nga opinioni shqiptar e më gjerë po nënvizoj si më poshtë:

Është një turp kombëtar në sytë e botës kur sheh se kush ka udhëhequr tranzicionin 30 -vjeçar shqiptar.

Është koha t’i themi stop dhe të ndezim sinjalin “SOS” që kjo farë e ndyrë që helmoi pluralizmin dhe demokracinë të largohet jo vetëm nga fleta e votimit por dhe nga ekranet e televizioneve pasi po kontaminojnë rininë e gjithë shoqërinë.

Shou i djeshëm i “divorcit”Meta-Kryemadhi në fakt ishte një inkorporim në tre drejtime që vetë i dekonspiruan: –
Vrerë dhe helm kundër SHBA-ve hapur e nën rreshta e cila tashmë duket se i ka skeduar dhe dizenjuar për të ndarë fatin e Sali Berishës.

Shantazh publik e intimidim i SPAK-ut dhe institucioneve të drejtësisë se re pasi informatorët i kanë lajmëruar se dosja e tyre kriminale ka kaluar për aprovim në katin e katërt të kështjellës anti-korrupsion.
Sulm i paprincip kundër Lulzim Bashës, i cili është pengesa e vetme dhe aleati i qartë i perëndimit jo vetëm në mbështetje të SPAK-ut por dhe barriera e pakalueshme që Sali Berisha të mos i transferojë “trashegiminë” opozitariste këtij mamuthi kusar.

Këto nuk janë deduksione analitike por konstatime të thjeshta nga pronocimet sistematike të çiftit të bllokut të zi e të thesit të korrupsionit Meta -Kryemadhi.
Përsa më siper dua ti bëj një pyetje asgjesuese Ilir Metës, e cila shjegon gjithë mbijetesën e tij dhe infiltrimin 32-vjeçar në establishmentin politik.

Na thuaj Ilir Meta se kush të dërgoj 29 -vite me parë me xhakavendë të murrme e kapuç në krye në zyren e kryetarit të SHIK-ut Bashkim Gazidede.

Pra 29 -vite më parë në katin e tretë të godinës ku ka zyrat sot Fatmir Mediu dhe ç’farë nenshkrove në 3 -orë qendrimi atje?
Sigurisht që e dije se perpara teje kishin qenë edhe kolegët tuaj S.P. dhe L.H me të cilët se bashku filluat puçin për ti grabitur partinë liderit të burgosur Fatos Nano!!!
Mendoni se nuk ka letra të shkruara dhe se prof.i matematikës Gazidede të mos ta ketë shënuar këtë ekuacion interesant?

Apo mendoni të nderrosh prapë mbiemer nga Metaj në Meta e të mos identifikohesh si spiun i rendomtë?

Ndoshta tani do bëhesh Ilir Mete po turpin do e kesh përjetësisht me vete?
E së fundmi një kujtesë të dhimbshme jo për ju kusarë tëligj por për shqiptarët.
Nuk është turp të jesh i pasur se kapitalizmi e pranon por është turp pasurimi i plebejve rrufeshëm nga pushteti.

Pushteti vërtet ju solli privilegje pasuri por kurrë fisnikeri.
Se fisnikëria është gjenetike.
Ndaj po e mbyll shkrimin tim me një ndodhi reale që nuk don koment.
Kur Titaniku u fundos, mbante milionerin John Jacob Astor IV.

Paratë në llogarinë e tij bankare ishin të mjaftueshme për të ndërtuar 30 -Titanikë. Megjithatë, i përballur me rrezikun e vdekshëm, ai zgjodhi atë që e konsideronte moralisht të drejtë dhe hoqi dorë nga vendi i tij në një varkë shpëtimi për të shpëtuar dy fëmijë të frikësuar.

Milioneri Isidor Straus, bashkëpronar i zinxhirit më të madh amerikan të dyqaneve të departamenteve, “Macy’s”, i cili ishte gjithashtu në Titanik, tha: “Unë kurrë nuk do të hyj në një varkë shpëtimi para burrave të tjerë “Gruaja e tij, Ida Straus, gjithashtu refuzoi të hipte në varkën e shpëtimit, duke i dhënë vendin shërbyeses së saj të sapoemëruar, Ellen Bird.

Ajo vendosi që momentet e fundit të jetës t’i kalonte me bashkëshortin e saj.
Këta individë të pasur preferuan të ndahen me pasurinë e tyre, madje edhe jetën e tyre, sesa të kompromentojnë parimet e tyre morale.

Zgjedhja e tyre në favor të vlerave morale nxori në pah shkëlqimin e qytetërimit njerëzor dhe natyrës njerëzore.

Continue Reading

OPINION

ANALIZA/ “Meta e Kryemadhi nuk janë Çausheksët e Tiranës”, gabimi i jetës që bëri Sali Berisha

Nga Lorenc Vangjeli

Është e pamundur t’i shpjegosh një “alieni” që vjen për herë të parë në Tiranë, se çfarë po ndodh me politikën në vend. T’i rrëfehet atij ai lëmsh pa fill e fije të bëra lëmsh të marrëdhënieve mes aktorëve kryesorë të saj; t’i dëshmohen të gjitha dashuritë e aleancat e njëkohshme, të kthyera në urrejtje dhe armiqësi të egra të përkohshme, qëndrimet që zëvendësojnë rregullisht katranin me dëborën, të vërtetën me gënjeshtrën, lodrimin prej pehlivanësh nga njëra apo ana tjetër e ylberit politik të secilit personazh dhe mbi të gjitha, t’i justifikohet jetëgjatësia në politikë që protagonistët rreken ta barabitin me atë të profetëve të librave të shenjtë.

“Alienët” nuk kanë zgjedhur ende të vizitojnë Tiranën dhe në Tiranë, publiku është mësuar prej tre dekash e kusur me këtë aromë lëmshi që nuk bën më përshtypje. Pa dalë në ajër të pastër, askush nuk e ndjen më me kalimin e kohës sesa mbytës, shtypës e stresues është ajri në këtë fshat të vogël, edhe megaloman, edhe të padrejtë, edhe shumëstandartësh, të pushtuar nga dilemat për fate individuale të ca pak njerëzve që kanë kushtëzuar fatin e gjithë shqiptarëve.

Për momentin, tre janë qendrat e vëmendjes që formojnë një trekëndësh, në mes të të cilit qëndron Rama. Tre qendra që janë fat dhe fatkeqësi njëkohësisht për njëra-tjetrën.

I pari është Sali Berisha që në pikën më të ulët të karrierës së tij të tejgjatë, qëndron lart në dritare, i kufizuar për të jetuar lirisht, i izoluar ndërkombëtarisht, por me lirinë për të thënë gjithçka do, pavarësisht se çfarë di. Udhëheqës i një shumice të qartë mes pakicës së votuesit shqiptar, ai mundi të imponojë këtë status duke dashur të blejë atë që është më e pamundura për gjithkënd, kohën, ndërkohë që vetë koha është kundër tij. Gabimi i jetës që bëri duke sfiduar hetimin kontravers kundër tij, llogaritja gabim e forcave përballë SPAK-ut e faktorëve të tjerë, por dhe procedurës, që në drejtësi, shpesh është po aq e rëndësishme edhe sa vetë thelbi i çështjes, e bëri atë viktimë perfekte të vetvetes. Një individ që nuk e njeh pendesën dhe që ka zgjedhur gjithmonë të vazhdojë t’i bjerë murit me kokë për të dalë matanë, edhe kur ka një derë që mund ta ndihmojë të dalë jashtë, është në tipologjinë e tij të hershme dhe e gdhendur në ADN-në e tij. Eshtë vesi vetjak që është edhe më jetëgjatë se ai vetë. Eshtë kromozomi mushkë, në botën elegante të reflektimit.

I dyti është çifti politik Meta-Kryemadhi. Ndryshe nga bindja e përgjithshme e një opinioni që sheh vetëm dy kënde pranimi a refuzimi, majtas dhe djathtas dhe refuzon një të tretë alternativ, ata nuk janë Çausheskët e Tiranës. Në mënyrë paradoksale, për shkak të rrethanave, të dy ata kanë qenë çelësi i pushtetit, qëndrueshmërisë së tij dhe kushtëzues të rotacioneve. Në 2005 ata ishin edhe më shumë arsye për rrëzimin e socialistëve sesa vetë adoleshenca e vonuar e Fatos Nanos në atë kohë dhe qeverisjes së tij në rrjedhje të lirë e drejtim të paditur. Në 2009 ishin arsyeja e vetme që i dha PD-së mandatin e dytë duke bashkëndarë më pas pushtetin, por këto dy rrethana, nuk mjaftuan që ata të fitojnë “dashuri” elektorale në të djahtë, ndërkohë që mëria e të majtës që i shihte si shkak të humbjes, rritej në progresion ngjitës për të dy. Ajo mëri nuk u zvogëlua edhe në 2013-ën kur ishin garancia e socialistëve për rikthim në pushtet. Më shumë se njohje nderi, socialistët numëronin çapat e gabuara në fetën e pushtetit të ndarë që ju dukej se ish-aleati jua kishte grabitur. Në 2017-ën, me kryetarin e burgosur në presidencë, Meta president e Monika pasardhëse në parti, u detyruan të shohin pa mundur të ndryshojnë fatin, rrokullisjen e zarave kundër tyre. Pushteti që kanë marrë në gjithë këto vite – Metës ja numërojnë zakonisht të gjitha postet që ka mbajtur – ka qenë joproporcional me numrat që merrnin nga elektorati, por i diktuar nga takati i interesit. Dhe kjo ka qenë fatkeqësia e tyre dhe arsyeja që sot, shtuar edhe me ballafaqimin me drejtësinë të të dyve, që ata pikturohen si djaj nga të majtët që e thonë me zë të lartë dhe të djathtët që i mbrojnë me gojë, por i nëmin me zemër. Sepse pa një fije frymëzimi moral, edhe interesi më i kulluar tronditet dhe turbullohet në gjykim.

I treti është kryetari i bashkisë së Tiranës. Erion Veliaj është një nga dy apo maksimumi tre politikanët që nuk ka dalë nga mitra e dyshimtë e vitit 90-të që polli politanët e sotëm. Thjesht sepse ishte vetëm dhjetë vjeç kur u rrëzua regjimi. Por i ndihmuar nga Rama, nga fati e rrethanat dhe mbi të gjitha, sepse pavarësisht ndihmës, fatit e rrethanave, ai mundi të imponohet në një skenë pa rregulla dhe ku rregullat e karrierës nuk i shkruante merita. Ai u dëshmua i aftë në një vend ku aftësia nuk është kusht për të ecur përpara, u tregua i ndryshëm në një ambient ku ndryshimi është mëkat, u shfaq si tradicional, aty ku sofistikimi është dhe konsiderohet gabim. Për ta identifikuar edhe si më të rëndësishëm dhe duke e ditur se është i tillë, dy kulmet e trekëndëshit politik, Berisha dhe Meta e Kryemadhi, po vetidentifikohen në mënyrë paradoksale si aleatët e tij po më të rëndësishëm. Duke e vënë në qendër të sulmeve, duke e goditur me molotov duke i dërguar poshtë dritareve të bashkisë dhunë dhe duke e bërë shënjestër unike sulmi, ata e personalizojnë fatin e tij me atë të shumicës së qytetarëve që i refuzojnë ata vetë. Sa më radikalë ndaj Veliajt, aq më i fortë është Erioni në të majtë, pikërisht aty ku ai vetë ka dhe kundërshtarët më të egër.

Në të gjithë këtë panoramë, diferenca mes këtyre tre skajeve qëndron në respektin e ca të vërtetave të thjeshta në politikë. Në ato parime që kanë të bëjë më magjinë e funksionimit të vetë sistemit, edhe kaq të brishtë, hibrid dhe të papërsosur si demokracia në Shqipëri: ndarja dhe kontrolli i pushteteve. Dy të parët kanë zgjedhur të mallkojnë pushtetin gjyqësor. Bandë e strukturuar kriminale thotë njëri për SPAK-un, Dum Duman thërret në mënyrë folklorike tjetri, duke i bërë thirrje po asaj drejtësie që të hetojnë Veliajn në një moment delikat të tijin në raport me këtë pushtet. Ata sillen si klientë të zemëruar që pretendojnë shërbim më të mirë nga “kamarieri” duke i drejtuar pistoletën në kokë, kurse vetë Veliaj sillet krejtësisht ndryshe: kokulur, modest dhe bashkëpunues për çdo marrëdhënie të nesërme me SPAK-un, pa tentuar të paragjykojë hetimin, por dhe duke kujtuar marëdhënien e tij speciale me “pronarët” e huaj të restorantit.

E thënë thjeshtësisht. Politikanët, pavarësisht se betohen për të kundërtën, nuk thonë kurrë atë që mendojnë, por shprehin atë që ju intereson dhe që besojnë se publiku do të dëgjojë. Në këtë rast, SPAK-u, institucioni me përkrahjen më të madhe publike që ndonjë institucion ka pasur në Shqipëri, në mënyrë paradoksale, kushtëzon edhe qëndrimin e opinionit ndaj kësaj tresheje. Që nga njëra anë i refuzon me distancë drejtorët bashkiakë të arrestuar, por zgjedh Veliajn përballë dy ish-presidentëve ish-kryeministra, njëri që shëtit nëpër penxhere dhe tjetri që sillet si “influencer” duke u kacavjerë në paralele. Duke harruar njëkohësisht të dy, që në këtë botë kaosi të përjetshëm, rregulli i pandryshueshëm është që vetë individët janë vetëm të përkohshëm.

Kjo është një histori e shkurtër e së ardhmes që mund të trondisë shumë alienë realë në Tiranë, votues e refuzues të votës, që përdorin urrejtjen si instrument të vetëm për të kuptuar se çfarë po ndodh. Mund të lerë në ulërimë e sipër shumë daltonikë që shohin vetëm bardh e zi dhe refuzojnë nuancat, të paaftë për t’i dalluar, jo të lirë për t’i dëgjuar. Paradoksalisht, edhe pse do të duhej të ishte ndryshe, as Berisha që e mendon vetën realisht si profet të përjetshëm, as Meta e Monika që nuk janë Çausheskët e Tiranës dhe madje as Veliaj, aleat dhe miku i tij, veç e veç nuk mund të bëjnë dot atë që po e bëjnë të tre së bashku për kryeministrin. Ata po i afrojnë Ramës minimalisht dhe PS-së maksimalisht, një rilindje të katërt. Një rilindje të cënuar moralisht, të plagosur penalisht, të deformuar njerëzisht, por të rikonfirmuar si shumicë institucionale deri vitin tjetër.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING