Por ndërkohë që disa prej të burgosurve mendojnë ende se si mund të vijojnë aktivitetet e tyre kriminale, të tjerët që janë aty të penduar, kanë krejt tjetër problem. Ajo çfarë u jep ligji, duket e pamundur të mbërrijë realisht te ata.

“Luksi” i parë ligjor për ta janë mjekët, të cilët mungojnë në shumicën e burgjeve. Një raport i KLSH-së ka renditur një seri problemesh lidhur me mënyrën se si trajtohen të burgosurit.

Duket se askush nuk e sheh të arsyeshme se si mund të zgjidhet mungesa e përcaktimit të standardeve për mbikëqyrje të rregullt psikologjike të stafit të angazhuar në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale.

Deri para amnistisë që hyri fuqi në Prill, auditi i KLSH-së ngrinte si çështje rrezikun që vjen nga dyfishi i të dënuarve në qeli, në krahasim me kapacitet që ka ky institucion.

Sipas KLSH-së, problem shumë shqetësues mbetet kujdesi shëndetësor, ku nga 53 mjekë, që duhet të ketë në organikë në të gjithë sistemin, ka me kohë të plotë rreth 28 mjekë. 20 mjekë të tjerë janë të angazhuar me kohë të pjesshme, ndërkohë që ka ende pesë vende të paplotësuara me mjekë. Këta 20 mjekë duhet të kujdesen për 1400 të dënuar, që janë me sëmundje kronike dhe për qindra të tjerë që kanë sëmundje të përkohshme.

Në burgje shkëputet energjia elektrike

Përveç auditit të KLSH-së edhe Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e sistemit të burgjeve, duke ngritur alarmin për garantimin dhe mbarëvajtjen e kushteve jetësore për të burgosurit që vuajnë dënimin në këto institucione. Ky Mekanizëm ka ngritur alarmin e rasteve të shkëputjes së energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë të pijshëm në burgje, që janë elemente bazë për garantimin e sigurisë dhe jetës./ balkanweb