Politike
Rama në konferencë me Macron: Marrëdhëniet me Francën kanë hyrë në një fazë të re

Presidenti francez Emmanuel Macron është pritur mëngjesin e kësaj të shtune në kryeministri nga Edi Rama, në kuadër të vizitës së tij zyrtare që po mban në vendin tonë. Kjo është vizita e dytë zyrtare e presidentit francez në pak kohë, por e para e shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Brigitte.
Macron shoqërohej nga ambasadorja franceze Catherine Suard teksa mbërriti në kryeministri. Dy liderët po mbajnë një takim dypalësh ndërsa më pas do të firmosen edhe disa marrëveshje në fushën e mbrojtjes, turizmit dhe prodhimit të energjisë.
Ka nisur tashmë edhe konferenca e përbashkët për shtyp. Në fjalën e tij, Rama tha:
“Është një nder i veçantë, por edhe një ndjesi e jashtëzakonshme mbarësie që në një kohë kaq të shkurtër presidenti i Francës riviziton Shqipërinë dhe qëndron për një tjetër vizitë bilaterale, gjë që na jep shumë krenari por dhe shumë mirënjohje për këtë shtysë të fortë nga ana e presidentit dhe republikës së Francës në marrëdhëniet me Shqipërinë që kanë hyrë në një fazë të re dhe të panjohur më parë. Kemi këtë herë bërë një bilanc të punëve të realizuara pas vizitës së parë historike të presidentit që ishte i pari kryetar shteti i Francës që viziton Shqipërinë dhe kemi vazhduar të nënshkruajmë marrëveshje të tjera për të thelluar bashkëpunimin në fushat e paracaktuara edhe në marrëveshjen kuadër midis dy qeverive. Privilegj i vecantë që Shqipëria mikpret Komuniretin Politkk Evropian dhe që së bashku me presidentin dhe një grup vendesh e kemi shtyrë këtë projekt të Komunitetit në pikën ku tanimë ka konsensus të plotë nga të gjithë vendet përbërëse.”
Të dy udhëheqësit do të flasin edhe në forumin ndërkombëtar “Iniciativa e Investimeve të së Ardhmes”, ku do të jetë i pranishëm edhe dhëndri i Trump, Jared Kushner si dhe ish-kryeministri italian Matteo Renzi.
Një ditë më parë, pas samitit, presidenti francez inauguroi me kryeministrin shkollën prestigjoze franceze të kodimit “Ecole 42”, e dedikuar drejt botës së teknologjisë. Rama dhe Macron biseduan me të rinjtë që gjendeshin në mjediset e reja të dedikuara, të cilët sollën eksperiencat e tyre personale të adoptimit me sukses në fushën digjitale. Në fund u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit Shqipëri-Francë për inovacionin nga dy ministrat përfaqësues për inovacionin.
Në fushën e mbrojtjes ministri francez Sébastien Lecornu firmosi me ministrin Piro Vengu marrëveshjen teknike për blerjen e sistemit të vëzhgimit ajror nga një kontraktor industrial francez. Një mbështetje për Forcat Ajrore shqiptare në rritjen e kapaciteteve të avancuara mobile. Në nder të mysafirëve francezë kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja e tij Linda shtruan një darkë zyrtare në pallatin e Brigadave.

